Ministri Gonxhja: Shqipëria me rritje të fortë në turizëm, kërkojmë investime serioze të mirëplanifikuara
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në edicionin e dytë të “Match-Maker Albania 2026”, eventi më i madh i vitit për biznesin, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Kjo platformë e biznesit bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Në fjalën e tij Gonxhja theksoi se “Shqipëria po përjeton një fazë të rëndësishme të transformimit ekonomik. Projektet e prezantuara këtu sot sidomos në pasuritë e paluajtshme, turizëm, sport dhe bujqësi reflektojnë një ndryshim të dukshëm për mënyrën si i qasemi zhvillimit, më të strukturuara, më strategjike dhe më të përqendruara në vlerat afatgjata”. Sipas tij, turizmi luan një rol tërësor në këtë transformim. “Gjatë vitit të kaluar Shqipëria ka përjetuar një rritje të fortë në turizëm, megjithëse fokusi ynë nuk është thjesht tek rritja e shifrave, përparësitë e përcaktuara në strategjinë tonë kombëtare të turizmit, është ta përforcojmë këtë rritje me cilësi dhe investime”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se “sot Shqipëria pret rreth 12 .5 milionë vizitorë në vit gjë që reflekton qartësisht nivelin e përshkallëzimit dhe përgjegjësisë që mbart”. Gonxhja tha se “kjo rritje kërkon investime serioze të mirëplanifikuara të cilat janë të qëndrueshme, të integruara dhe në përputhje me objektivat tona afatgjatë të zhvillimit. Jo vetëm duke mbrojtur pasuritë tona natyrore kulturore, por duke krijuar edhe cilësi, punësim , rritje afatgjatë dhe vlera afatgjata për komunitetet tona duke tërhequr interesin e diasporës sonë që të kthehet”.
Ministri Gonxhja e vuri theksin edhe tek nevoja për investime që shkojnë përtej atyre sezonale. “Në themel të së gjithës është një objektiv i qartë të krijojmë kushtet për investime më të mëdha të diversifikuara e të gjera që shkojnë përtej atyre sezonale dhe që kontribuojnë në një ekonomi më të balancuar, më të qëndrueshme nga bregdeti në zonat malore duke përfshirë zakonet e pasura, traditat dhe mënyrën e jetesës”, tha Gonxhja. Por, shtoi Gonxhja, kjo kërkon më shumë se potencial, kërkon, besim qartësi dhe mbi të gjitha kërkon edhe një kuadër të fortë e të besueshëm ligjor.
“Për këtë arsye një nga përparësitë tona kryesore është rishikimi dhe reformimi i legjislacionit për turizmin. Duam të kemi rregulla të qarta procese transparente dhe fiskale të parashikueshme, synimi është që çdo investues serioz të veprojë në një sistem që ofron siguri juridike, bashkërendim institucional, zbatim efikas dhe në të njëjtën kohë forcojmë rolin e institucioneve që mbështesin investimet”, tha Gonxhja. Kjo qasje, shtoi Gonxhja, na lejon që të shkojmë drejt një modeli ku Shqipëria është një vend i hapur për investime, një vend që orienton dhe lehtëson këtë gjë aktivisht dhe në fakt këto janë themelet që bëjnë të mundur këto investimet ku përfshihen infrastruktura, inovacioni dhe digjitalizimi. “Po punojmë edhe për zgjatjen e sezonit turistik, duke forcuar fusha si turizmi kulturor, natyror dhe ai i aventurës”, tha Gonxhja.
KOHA JONË SONDAZH

