Ministri Hasani në Budapest, firmos dy marrëveshje në fushën e arsimit dhe diplomacisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Hungari, vend i cili merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.
Ministri Hasani u takua me homologun hungarez Péter Szijjártó, me të cilin diskutoi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Hungarisë, ku spikasin lidhjet historike midis dy popujve, që në periudhën e prijësve Skënderbeu dhe János Hunyadi. Sa i përket thellimit të marrëdhënieve, Hasani u shpreh se marrëveshjet e arritura janë në fushën e arsimit dhe diplomacisë.
“Hungaria është mbështetëse e palëkundur e integrimit tonë evropian. Hungaria është avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet e Presidencës hungareze të Këshillit të BE”.
Ndërsa ministri hungarez, Szijjarto në fjalën e tij tha se prioritet i Presidencës hungareze të Këshillit të BE është zgjerimi i BE. “Do jetë një betejë e fortë sepse ka vende që s’e duan këtë zgjerim. Por ky s’do jetë rasti i Shqipërisë. 20 vjet përpjekje dhe besojmë se Shqipëria është gati për negociatat. Sa më shumë vonesa, aq më shumë në pikëpyetje integriteti i BE në rajon”.