Ministri Hasani në Forumin Strategjik të Bledit, takime dypalëshe me homologë dhe zyrtarë të lartë
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mbërriti këtë të hënë në Slloveni për të marrë pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit me temë ‘Një botë realitetesh paralele’, ku u prit nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon.
Çështjet që do të trajtohen në forum janë sfidat aktuale të sigurisë që po ndodhin në shoqërinë ndërkombëtare, por dhe ato të ardhshme globale.
Ministri Hasani do të marrë pjesë edhe në një takim informal të ministrave të Punëve të Jashtme dhe të të Dërguarve Specialë për Ballkanin Perëndimor. Takimi do të mundësojë shkëmbimin e mendimeve lidhur me situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të forumit, kryediplomati shqiptar do të zhvillojë edhe disa takime dypalëshe me homologë dhe zyrtarë të lartë nga vendet e Evropës.
Forumi Strategjik i Bledit organizohet në një moment kur Sllovenia është votuar si anëtare e përkohshme e KS të OKB-së për periudhën 2024-2025 dhe me këtë rast do të shprehet edhe përgjegjësia e Sllovenisë për ushtrimin e detyrave që burojnë nga ky fakt.