Ministri Hasani në ministerialin e NATO-s në Bruksel: Kohezioni, rëndësi kritike për sigurinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, në Bruksel, i pari nën drejtimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm, Mark Rutte.

Hasani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Lidhjes Transatlantike, si “gur themeli” të NATO-s. Ministri bëri me dije se Shqipëria po investon aktualisht 2.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me fokus modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa po punohet për arritjen e 3% të PBB, deri në vitin 20230.

Në kuadër të miratimit të raportit dyvjeçar të NATO-s për Ballkanin Perëndimor, ministri theksoi nevojën kritike për të forcuar kohezionin e NATO-s, veçanërisht në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, për të kundërshtuar në mënyrë efektive kërcënimet ndërkufitare dhe për të përforcuar aftësitë parandaluese dhe mbrojtëse.

Ministrat e Jashtëm miratuan një sërë dokumentesh për çështje të ndryshme të Aleancës, veçanërisht sa i përket ecurisë së vënies në jetë të vendimeve të rëndësishme të dakordësuara nga Krerët e Shteteve dhe Qeverive në Samitin e Uashingtonit (9-11 Korrik 2024), si edhe nisjes së përgatitjeve për Samitin e NATO-s në Hagë, në 24-25 qershor 2025.

Në fokus të takimeve, ku ishte e pranishme dhe Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas ishte dhe vijimi i mbështetjes të vendeve aleate për Ukrainën.

Ministrat e Jashtëm aleatë gjatë takimit me homologun e tyre ukrainas Andri Sybiha, në formatin e Këshillit NATO-Ukrainë (NUC), theksuan mes të tjerash mbështetjen e plotë për Ukrainën, për sa kohë të jetë e nevojshme në përpjekjet e saj për t’i bërë ballë agresionit të Rusisë.

SHKARKO APP