Ministri Hasani në Suedi: Vëmendje maksimale për shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë në botë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, këtë të hënë nisi një vizitë zyrtare në Suedi. Ndalesa e parë ishte në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin suedez, ku u takua me punonjës të shërbimit konsullor dhe qytetarë shqiptarë, që paraqiten pranë kësaj konsullate për të kryer veprimet konsullore.

Janë mbi 71 mijë shërbime konsullore të ofruara në 6 muajt e parë të këtij viti, nga 44 misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të përmirësimit dhe lehtësimit të procedurave për shërbimin konsullor online, është e angazhuar që në bashkëpunim me AKSHI-n, të realizojë për herë të parë ofrimin e 13 shërbime konsullore online, në varësi të kërkesës së qytetarit me paraqitje fizike ose me postë, me dokument final të pajisur me QR Code, të cilat finalizohen në llogarinë e qytetarit në e-albania te rubrika “Dokumentet e mia”.

Njëherësh po punohet që së shpejti të realizohet pagesa online, për ato shërbime konsullore të cilat kanë tarifë shërbimi. Realizimi i shërbimeve të të mësipërme, do të reduktojë kohën e ofrimit të shërbimit nga 1 deri në 5 ditë pune kalendarike. Në ditën e parë të vizitës në Suedi, ministri Hasani u takua me përfaqësues të komunitetit të biznesit vendas ku nënvizoi se në tre vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar një rritje ekonomike mesatare prej 5.7% në vit, duke tejkaluar parashikimet fillestare për çdo vit.

Bashkëbiseduesit mbështetën promovimin e lidhjeve më të forta ekonomike dhe tregtare dhe inkurajimin e investimeve direkte me Suedinë. Në këtë kontekst, ekzistojnë potenciale reale për rritjen e bashkëpunimit në fusha si: energjia, infrastruktura apo turizmi.

SHKARKO APP