Ministri Haxhinasto inspekton Lotin e parë të segmentit Kukës-Morinë,
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond_Haxhinasto ka zhvilluar disa inspektime përgjatë rrugës Milot- Morinë. Ministri Haxhinasto ndoqi nga afër punimet në Lotin e parë të segmentit Kukës-Morinë, ku vazhdon projekti i ndërtimit të 5 urave.
Haxhinasto tha se presim të alokohen fondet që ky lot të përfundojë brënda vitit. Ai theksoi se: “Me mundësi të reja financimi do të përfundojmë edhe lotin e dytë, që të plotësojmë gjithë segmentin Kukës-Morinë. Shumë e rëndësishme të respektohen edhe standartet e punimeve. Shumë e rëndësishme të vendoset sinjalistika e përkohshme, me qëllim që siguria e kalimit në këto segmente të jetë e lartë”.
Më tej Haxhinasto u ndal edhe në një tjetër segment të rrugës së Kombit, ku i pyetur nga mediat, u ndal edhe te aksidentet rrugore të kohëve të fundit. Haxhinasto theksoi se për një siguri më të lartë rrugore, duhet të forcohet më shumë elementi i “policimit” në rrugë.
“Në fakt shifrat janë shumë të sakta që sinjalistika në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka ndikuar në uljen e aksidenteve me vdekshmëri, por në disa segmente siç e thatë dhe ju, ka pasur aksidente me pasoja të rënda. Mendoj se përmirësimi i standartit të rrugëve mund ti motivojë njërezit të ecin me shpejt, dhe të injorojnë ato detyrime që kanë ndaj rregullave të qarkullimit, dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Çështja e sigurisë rrugore është padyshim, çështje e standartit të rrugës, të investimeve që bëhen në të, por jo vetëm. Është gjithashtu një çështje e “policimit” të rrugëve dhe besoj se ka nevojë për forcimin e “policimit” të rrugëve. Është gjithashtu çështje e cilësisë dhe e kontrollit të procesit të dhënies së lejeve të drejtimit, pra është një çështje e edukimit. Është çështje e njohjes së rregullave të qarkullimit, pasi është e qartë që një pjesë aksidenteve është si pasojë e mos njohjes së rregullave të qarkullimit. Sot 70 përqind e aksidenteve, ndodhin si pasojë e faktorit njerëzor. Ne kemi filluar një plan kombëtar të sigurisë rrugore që e rishikojmë herë pas here, dhe e përmirësojme në bazë të kërkesave të momentit. Besoj se është momenti të forcohet elementi i edukimit, trajnimit si të përdoruesve të rrugës, si të drejtuesve të mjeteve ashtu edhe këmbesorëve, por veçanërisht forcimi i elementi i të “policimit” të rrugëve të vendit”.
KOHA JONË SONDAZH

