Ministri i Mbrojtjes ruse: Krijuam kushte për procesin e paqes në Siri

Sergej Shojgu flet për rezultatet e fushtatës ajrore të Rusisë

Gjatë një takimi pune më 14 mars të Presidentit Vladimir Putin me ministrat e punëve të jashtme dhe të mbrojtjes të Rusisë, në të cilin kreu i shtetit urdhëroi tërheqjen e pjesës më të madhe të kontingjentit ushtarak rus nga Siria, drejtuesi i dikasterit të mbrojtjes Sergej Shojgu paraqiti përfundimet kryesore të operacionit ushtarak të Forcave Ajroro-Kozmike të Rusisë në këtë vend.

Në kuadër të operacionit kundër “Shtetit Islamik” dhe grupeve të tjera ekstremiste të lidhura me të, u kryen më shumë se 9 mijë fluturime luftarake. Për herë të parë, ndaj terroristëve u ndërmorën sulme masive me raketa të bazuara në aeroplanë dhe anije nga distanca prej më shumë se 1,5 mijë km.

Si rezultat i angazhimit të aviacionit rus, furnizimi i terroristëve me resurse nëpërmjet trafikut të hidrokarbureve u vështirësua ndjeshëm, kurse në zona të caktuara u ndërpre fare. U mbyllën rrugët kryesore që përdoreshin për të dërguar naftën drejt Turqisë dhe për të furnizuar terroristë me armë dhe municione.

Terroristët janë dëbuar nga Latakia. Vijat e komunikacionit me qytetin e Aleppos janë ringritur. Vijojnë luftimet për çlirimin e Palmirës nga grupe të ndryshme të armatosura. Është “pastruar” pjesa më e madhe e provincave Hama dhe Homs. Është zhbllokuar baza e aviacionit Kuweires, e cila mbetej e bllokuar për tre vite. Po ashtu, është rivendosur kontrolli mbi fushat e naftës në afërsi të Palmirës.

Në territorin e Sirisë janë asgjësuar më shumë se dy mijë terroristë me origjinë nga Rusia, përfshirë këtu edhe 17 komandantë. Aviacioni rus ka prishur 209 objekte të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, si dhe 2912 mjete të transportit të hidrokarbureve.

Me mbështetjen e aviacionit rus, ushtria siriane ka çliruar gjithsej 400 qendra banimi dhe më shumë se 10 mijë metra katrorë të territorit.

Krahas rezultateve të arritura në terren gjatë veprimeve luftarake kundër xhihadistëve, operacioni i Forcave Ajroro-Kozmike ruse ka kontribuar edhe në krijimin në Siri të kushteve për të siguruar armëpushimin dhe për të nisur procesin politik të paqes.

Organizatat që janë përfshirë në këtë punë pas procesit të bisedimeve (gjithsej janë 42) dhe qendrat e banimit që e kanë mbështetur regjimin e armëpushimit (janë më shumë se 40) kanë filluar veprime aktive për të siguruar zbatimin e këtij të fundit.

Për të garantuar kontrollin e zbatimit të armëpushimit, aviacioni rus ka angazhuar një grup të madh avionësh pa pilot, si dhe të gjitha mjetet e zbulimit, përfshirë këtu zbulimin radioelektronik dhe grupin satelitor të Rusisë.

Me shumë rëndësi janë disa hapa të ndërmarrë në përfundim të bisedimeve ndërmjet presidenteve të Rusisë dhe SHBA-ve. Është krijuar Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë që përbëhet nga të gjithë aktorët kryesorë pa përjashtim bashkë me fuqitë rajonale. Marrëveshjet e arritura nga ky Grup mbi mënyrën e zgjidhjes politike në Siri janë miratuar me dy rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat kanë riafirmuar zhvillimin e këtij procesi në tre drejtime: ndalimi i veprimeve luftarake; lehtësimi i mëtejshëm i aksesit të dërgesave humanitare tek zonat që janë zhbllokuar kohët e fundit; lançimi i bisedimeve të brendshme mes forcave politike siriane.

Falë këtyre vendimeve, në Gjenevë më në fund kanë rifilluar bisedimet midis delegacionit qeveritar dhe delegacioneve të grupeve opozitare të Sirisë. Gjithashtu, po vijon puna e suksesshme e dy grupeve të posaçme në kuadër të Grupit të Mbështetjes për Sirinë. Një prej tyre është fokusuar në bashkëveprimin humanitar, kurse ai tjetri i drejtuar bashkarisht nga Rusia dhe SHBA-të ka për dëtyrë sigurimin e zbatimit të armëpushimit.

Marrë nga: kremlin.ru; mid.ru

SHKARKO APP