Ministri Igli Hasani ka mbështetje të gjerë për sekretar të OSBE-së, por me barriera nga Turqia dhe Serbia
Kandidatura e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian po përballet me barriera të vendosura nga Turqia dhe Greqia, ndonëse ka mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare.
Ankaraja dhe Athina, ndonëse kanë mosmarrëveshje për ndarjen e territoreve që për pak u shndërruan në luftë 4 vite më parë, po bashkëpunojnë dhe po ushtrojnë ndikimin e tyre tek vendet anëtare të pranojnë dy propozimet e tyre të përbashkëta, turkun Feridun Sinirlioğlu për Sekretar të Përgjithshëm të OSBE dhe greken Maria Telalian për postin e drejtueses së ODIHR-it. Këto propozime u hodhën poshtë gjatë konsultimeve vitin e kaluar, kur mbaroi mandati i rregullt 3-vjeçar i sekretares aktuale, gjermanes Helga Shmid. Mungesa e dakordësisë për të zgjedhur 4 drejtues të strukturave kryesore të organizatës çoi në shtyrjen me 1 vit të mandatit të Shmid, por bllokada vijon edhe sot e kësaj dite.
Igli Hasani ka edhe mbështetjen e presidencës malteze, pasi ka një të shkuar të pasur në këtë organizatë, pasi ka qenë pjesë e Sekretariatit dhe ka drejtuar disa herë mbledhjet e OSBE-së në Vjenë gjatë presidencës së Shqipërisë në 2020-ën. Për Hasanin asnjë vend nuk ka vendosur publikisht vijë të kuqe madje as vetë Rusia. Në një votim të bërë pak kohë më parë, 39 shtete anëtare ishin në favor të propozimit të presidencës që mbështeste kandidaturën e Hasanit, 9 abstenuan ndërsa 9 mbështetën propozimin turko-grek.
Turqia dhe Greqia pretendojnë se kanë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por mediat me burime pranë OSBE-së thonë megjithatë se Ankaraja po nxit zgjedhjen me çdo kusht të kandidatit të saj, si pjesë e përpjekjeve për të reklamuar fuqinë e saj në arenën ndërkombëtare dhe për të shtuar ndikimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Në këtë proces, mediat shkruajnë se Greqia po tërhiqet nga Turqia që synon ta paraqesë atë si një akt simbolik për një nismë më të gjerë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe një kontribut për të tejkaluar ngërçin për zgjedhjet e OSBE-së, të cilat pritej të ishin shumë të vështira për shkak të rolit kundërshtues të Rusisë për shkak të problemeve për luftën në Ukrainë.