Ministri Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, ku theksoi se “veç gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga destinacionet kryesore të financimeve zhvillimore në vend”.

Në fjalën e tij, Jaupaj tha se kjo nuk është thjesht statistikë. “Kjo është prova e një besimi të fortë ndërkombëtar mbi aftësinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar, planifikuar dhe zbatuar programe komplekse me standarde evropiane”, u shpreh ministri i Mjedisit. Duke u ndalur tek projektet kryesore të këtij portofoli, Jaupaj tha se programi për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, me financim 66.7 milionë euro nga KfW dhe SECO, është një ndërhyrje që transformon shërbimet bashkiake dhe rrit standardet e mjedisit urban.

“Programi “Klima në Shqipëri I”, i mbështetur nga KfW, modernizon dhe digjitalizon rrjetin energjetik, duke sjellë një reduktim real të emetimeve dhe një forcim të qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Në bujqësi, projekti “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë”, me financim 64.6 milionë euro nga Banka Botërore, ndihmon vendin të përshtatet ndaj rreziqeve klimatike përmes modernizimit të ujitjes dhe kullimit, forcimit të sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit të analizës së politikave”, nënvizoi Jaupaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fushën e menaxhimit të rreziqeve, Jaupaj përmendi programin CLIRES, financuar nga SECO, si dhe programin ALBAdapt, i financuar nga GCF, BMZ, SECO dhe SDC, të cilët theksoi ai “krijojnë sisteme moderne paralajmërimi të hershëm dhe mbështesin 12 bashki bregdetare si edhe institucionet tona qendrore të menaxhimit të fatkeqësive si IGJEUM dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”. Ministri Jaupaj informoi se në fushën e natyrës, vijoi programi “EU for Nature”, i financuar nga BE dhe SIDA, që po ndihmon integrimin e rrjetit “Natura 2000”, ndërsa në transport, programi gjerman për transportin urban të qëndrueshëm mbështet tranzicionin e qyteteve tona drejt sistemeve moderne, gjithëpërfshirëse dhe klimë–rezistente.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nëse analizojmë burimet financiare të këtyre ndërhyrjeve, përveç Bashkimit Evropian, vërejmë se Banka Botërore ka aktualisht në zbatim 1,474 milionë euro projekte, KfW dhe GIZ rreth 1,240 milionë euro, ndërsa Japonia dhe AFD kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në projektet mjedisore përkatësisht me 717,500 euro dhe 610,000 euro. Zvicra dhe Suedia mbeten gjithashtu partnerë të qëndrueshëm në financime klimatike”, vuri në dukje Jaupaj.

Megjithatë, shtoi ai, Bashkimi Evropian mbetet kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër. “Nën instrumentin IPA III, Dritarja 3 “Marrëveshja e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm” përfaqëson shtyllën kryesore të mbështetjes së BE-së për vendin tonë. Rreth 15% e portofolit IPA për Shqipërinë është dedikuar për ndërhyrje klimatike, përfshirë programet BE për Natyrën, BE për Ekonominë Qarkulluese, BE për Ujin, paketën e rezistencës energjetike nën IPA 2023 me vlerë 80 milionë euro, si dhe programin BE për Pyjet me 13 milionë euro nën IPA 2024. Krahas kësaj, Programet Operacionale 2024–2027, veçanërisht Programi Operacional për Eficiencën Energjetike, me vlerë totale 79 milionë euro – ku 50 milionë euro janë kontribut i BE-së dhe 29 milionë euro bashkëfinancim kombëtar – adresojnë drejtpërdrejt ndërtesat publike, e-mobilitetin, energjinë e rinovueshme dhe elektrifikimin e hekurudhave, duke përputhur politikat tona kombëtare me prioritetet e BE-së për neutralitet klimatik”, tha Jaupaj.

Jaupaj bëri të ditur se “në kuadrin e Facilitetit për Reforma dhe Rritje, fusha e politikës nr.4 që i dedikohet energjisë së pastër parashikon një fond 127.8 milionë euro, i cili pritet të përthithet nga institucionet shqiptare pas kryerjes së reformave të qëndrueshme me fokus klimën dhe energjinë e pastër”. Më tej Jaupaj tha se “në vitet e fundit, tranzicioni i gjelbër është shndërruar në boshtin themelor të modernizimit të shtetit shqiptar, një bosht që përkufizon qartë ambicien e vendit tonë për të avancuar si një ekonomi evropiane, rezistente, konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes”.

“Shqipëria në vitin 2025 është një vend në transformim të thellë evropian. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030 e përfshin tranzicionin e gjelbër si pjesë të pandashme të rrugës sonë drejt BE-së, duke e konsideruar energjinë e pastër, efikasitetin energjetik, ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e mjedisit si fusha që përkufizojnë vetë modelin tonë të zhvillimit”, theksoi Jaupaj. Ministri Jaupaj u shpreh se “raporti i parë i progresit të kësaj strategjie, finalizuar në vitin 2025, dëshmoi forca të prekshme të Shqipërisë në fushën e klimës dhe energjisë, duke vërtetuar se vendi ynë nuk është më vetëm një aspirues i standardeve evropiane, por një kontribuues aktiv me rezultate konkrete”.

Sot, vijoi Jaupaj, mbi 45.4% e konsumit total të energjisë së vendit mbështetet në burime të rinovueshme, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së pastër në Evropë. Jaupaj vuri në dukje se “kjo arritje nuk buron vetëm nga tradita hidroenergjetike, por edhe nga investimet e reja strategjike si Parku Diellor i Karavastasë me kapacitet 140 MË, një shembull i modelit të ri të zhvillimit të energjisë në vend”.

“Klima është sot fusha ku bashkërendohet më qartë se kudo tjetër vizioni politik i qeverisë, pritshmëria e qytetarëve dhe standardet e BE-së. Detyra jonë e përbashkët është të garantojmë koherencë, të forcojmë koordinimin dhe të sigurojmë që çdo euro e investuar të materializohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenie për qytetarët e vendit. Platforma Kombëtare e Financave të Klimës do të jetë një tjetër element i rëndësishëm i bashkimit të forcave dhe energjive për të maksimizuar burimet dhe rezultatet. SASPAC mbetet plotësisht e angazhuar ta udhëheqë këtë proces me profesionalizëm, me integritet dhe me një vizion të qartë evropian për Shqipërinë e vitit 2030”, tha Jaupaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?