Ministri Klosi: Mbështetje e vazhdueshme për të rinjtë, për t’u pozicionuar në tregun e punës
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, mori sot pjesë në lancimin e programit të vetëpunësimit “zhvillimi i aftësive për punësim”. Ky program, i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri dhe UNDP, ka si qëllim mbështetjen e të rinjve që kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar biznesin e tyre, nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin, këshillimeve të vazhdueshme gjatë të gjitha fazave të biznesit, të programit dhe mbështetjes financiare (në formën e pajisjeve dhe /ose materialeve) programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qëndrueshme.
Në këtë program, mund të marrë pjesë të gjithë të rinjtë deri në moshën 30 vjeç dhe deri më tani, janë rreth rreth 150 të rinj. Ky program, përbën një nisëm të nevojshme për të mbështetur të rinjtë shqiptarë për t’u pozicionuar në tregun e punës dhe fondi për këtë program, është rreth 100 milion lekë (1 miliard lekë).
Në fjalën e tij, Ministri Klosi tha se sipërmarrja dhe vetëpunësimi rinor si pjesë e Planit të Veprimit për Rininë janë një prioritet i MMSR dhe përbëjnë një nga mënyrat për të luftuar papunësinë rinore. Mbështetja dhe bashkëpunimi me UNDP në këtë projekt përbën një hap të rëndësishëm të Ministrisë për fillimin e një aktiviteti të tillë. Ai do të kryhet në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe më pas do të shikohet si një alternativë e vazhdueshme nga Minitria për nxitjen e punësimit të të rinjve.
Gjithashtu, Ministri përmendi edhe reformat që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka ndërmarrë në kuadër politikave për të rinjtë:
- Modernizimin e zyrave të punësimit dhe funksionimin e tyre duke ofruar shërbime njëlloj si në vendet e BE-së.
- Zbatimin e një pakete prej 7 programesh për nxitjen e punësimit kur fondet janë pesëfishuar në krahasim me dy vite më parë dhe synohet 7 -fishim i pjesëmarrësve, programe në të cilat të rinjtë të moshës 16-30 vjeç nxiten me përparësi. Të rinjtë në këto programe do të përbëjnë mbi 60% të pjesëmarrësve.
- Reforma e arsimit profesional, reformë e cila është e gjitha në mbështetje të rinisë shqiptare për të bërë zgjedhjen e duhur sot e cila i çon drejt një vendi pune të sigurtë në tregun e punës.

Në mbyllje, Ministri u shpreh: “Dua të theksoj këtu se tregu shqiptar i punës vuan mospërputhjen midis zanateve që kërkohen nga biznesi me formimin e papërshtatshëm profesional të punëkërkuesve. Për këtë arsye qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të posaçme reformimit të sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional për t’a harmonizuar atë më mirë me kërkesat e tregut të punës.”
KOHA JONË SONDAZH

