Ministri Krasniqi dorëzon aplikimin zyrtar për anëtarësimin e Kosovës në FIFA

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), përmes një njoftimi ka konfirmuar takimin e mbajtur mes delegacionit të Kosovës dhe FIFA-s është mbajtur sot në Zurich.

Ministri Krasniqi gjatë takimit theksoi se “pas njohjes së Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që është institucioni më përfaqësues i sportit në botë, ka ardhur momenti që edhe Federatat Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) të thyejnë izolimin e futbollit të Kosovës. Është një e drejtë themelore e jona që të jemi pjesë e barabartë e garave ndërkombëtare në futboll”.

Ministri Krasniqi dhe kryetari Vokrri në këtë takim falënderuan Blatter për ndihmën e madhe që ka dhënë deri tani në përparimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit tonë, në veçanti për lejimin e ndeshjeve miqësore zyrtare ndërkombëtare.

Ata e informuan kreun e FIFA-s me ecurinë e ndeshjeve miqësore, që ka zhvilluar deri tani Kosova, përmes të cilave vendi ynë ka treguar pasionin e madh për lojën e futbollit si një mjet të bashkimit të njerëzve, si dhe FFK ka treguar cilësi të lartë në organizimin e mirë të ndeshjeve, duke respektuar diversitetin dhe fer-playn.

Ministri Krasniqi dhe kryetari Vokrri e informuan kreun e FIFA-s edhe me investimet që janë bërë deri tani në zhvillimin e futbollit në Kosovë, si në avancimin e infrastrukturës ashtu edhe në zhvillimin e garave kombëtare konform rregullave ndërkombëtare.

Ministri Krasniqi tha se, “mohimi i të drejtës për të zhvilluar gara zyrtare në çdo nivel në futboll ka shkaktuar mjaft sfida në vend në zhvillim më të madh të futbollit dhe ndërtimin e një perspektive të shëndoshë të shoqërisë përmes sportit”.

Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të respektojë autonominë e plotë të FFK në punën e saj, por edhe të çdo institucioni tjetër sportiv. Por shtoi se Qeveria është mjaft e përkushtuar që të punojë në realizimin e një të drejtë të futbollistëve të Kosovës.

Kryetari Vokrri tha se, “futbollistët kosovarë për 20 vjet kanë qenë padrejtësisht të izoluar. “Padrejtësisht futbollistët për këto 20 vjet kanë qenë peng i politikës dhe kjo nuk duhet të zgjasë me. Futbollistët tanë kërkojnë asgjë më shumë veçse një të drejtë elementare siç e kanë të gjithë futbollistët në botë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dhënë një shembull për këtë duke ia hapur derën Kosovës dhe vullneti i sportistëve tanë nga ky lajm është rritur shumë. Ne jemi një vend që e duam futbollin dhe duam që edhe ne të tregojmë pasionin dhe potencialin tonë dhe është thjeshtë një e drejtë elementare njerëzore që kërkojmë”, theksoi Vokrri.

Ndërsa i dërguari special në FIFA, i agjencisë “Presheva Jonë” bën të ditur se delegacioni nga Prishtina dorëzoi dokumentacionin e plotë për riaplikim në FIFA. “Në bazë të nenit 83 të statutit të FIFA-s, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s aktulaisht ka autorizuar anëtarët e FIFA-s për të luajtur ndeshje kundër shoqatave jo-anëtare të FIFA-s, përfshirë këtu edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, tha për “Presheva Jonë”, zëdhënësi i FIFA-s, David Noemi. Për Krasniqin, kjo është hera e parë që takohet me të parin e futbollit në botë. Kurse, Vokrri dhe Blatter janë takuar disa herë, ku tema e diskutimit ka qenë e njëjtë.

SHKARKO APP