Ministri Malaj: Rritja ekonomike 3,71% në tremujorin e parë të 2026
Shqipëria po ngushton distancën me ekonomitë europiane, teksa rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 3.71%, duke e renditur vendin ndër ekonomitë me ritmin më të lartë të rritjes në rajon, bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj.
Sipas Malajt, Shqipëria, së bashku me Kosovën, kryeson ritmin e rritjes ekonomike në rajon, ndërsa rritja e ekonomisë në Shqipëri është ndjeshëm mbi ritmin mesatar të Bashkimit Europian, i cili në të njëjtën periudhë ishte 0,7%.
Ministri theksoi se ky rezultat lidhet me vijimin e politikave të qëndrueshme ekonomike, të cilat, sipas tij, po mbështesin investimet, aktivitetin e biznesit, punësimin dhe konsumin.
Malaj u shpreh optimist edhe për ecurinë e ekonomisë në tremujorët e ardhshëm, duke nënvizuar pritshmëritë për përshpejtim të rritjes, të mbështetur nga performanca e turizmit, investimet dhe sektorët prioritarë.
“Shqipëria dhe Kosova po udhëheqin ritmin e rritjes në rajon, ndërsa Shqipëria po ngushton me shpejtësi distancën me Europën”, deklaroi ministri i Financave.
Refereuar statistikave, Shqipëria ka lënë pas në këtë renditje Serbinë, me rritje 3,20%, Maqedoninë e Veriut me 3,1%, Malin e Zi me 3,69% dhe Bosnjë-Hercegovinën me 1,9%.
Ndërkohë, rritja mesatare ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2026 është 3,30%, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 0,7%.
Performanca e ekonomisë shqiptare në tremujorin e parë vjen në një kohë kur aktiviteti ekonomik po mbështetet nga investimet, konsumi, punësimi dhe performanca e sektorëve prioritarë, veçanërisht turizmi.
KOHA JONË SONDAZH

