Ministri Vengu inspekton Batalionin e Emergjencave Civile në Mengël: Investime strategjike për NATO dhe sigurinë kombëtare
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i shoqëruar nga kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, vizitoi sot repartin e Batalionit të Emergjencave Civile në Mengël. Struktura e cila ka përfunduar rikonstruksionin e plotë gjatë vitit të kaluar, shërben si pol sigurie për rajonin dhe si qendër formimi për forcat ushtarake në operacionet e emergjencave civile.
Gjatë inspektimit, ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtij reparti si pjesë aktive e rrjetit kombëtar të bazave me përdorim të dyfishtë. “Ajo që vlen për Elbasanin është se po zhvillojmë një rrjet bazash me përdorim të dyfishtë, ku shtojmë funksionalitete, sipërfaqe dhe forca. Në kuadër të rekrutimeve intensive, po rijetëzojmë reparte të vjetra që japin mbështetje jo vetëm për komponentin ushtarak, por edhe për emergjencat civile”, deklaroi ai. Në plan janë gjithashtu zona për uljen e helikopterëve, poligon kërkim-shpëtimi, tunele stërvitore, depo uji dhe hapësira rekreative për efektivët. Ministri vuri theksin te pozicionimi i Menglit në Korridorin VIII, duke e cilësuar këtë bazë si kyçe për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s.
“Korridori është testuar së fundmi përmes stërvitjeve të NATO-s dhe vendeve partnere, duke u konsideruar një korridor sigurie dhe logjistike me rëndësi të lartë”, nënvizoi Vengu. Kryebashkiaku Llatja vlerësoi bashkëpunimin me strukturat e emergjencave civile, sidomos gjatë sezonit të zjarreve. “Falë masave parandaluese dhe punës paraprake, bashkia e Elbasanit dhe qarku në tërësi nuk janë përballur me probleme të përmbytjeve gjatë këtij viti”, tha ai.
Në përfundim, ministri Vengu falënderoi efektivët e repartit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm. “Emergjencat civile janë kthyer në një sfidë të qëndrueshmërisë së infrastrukturës dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe profesionale”, theksoi ai, duke garantuar se investimet do të vijojnë për përmirësimin e kushteve të akomodimit, ushqimit dhe mjeteve operacionale. Projekti i zgjerimit parashikon ndërtimin e një kompleksi multifunksional, me godinë hotelerie, ambiente për kompani operacionale, qendër stërvitore për emergjencat civile, depo logjistike dhe akses në rrjetin hekurudhor – duke e kthyer repartin edhe në pikë tranziti për trupat e NATO-s.
KOHA JONË SONDAZH

