Ministria e Brendshme: Konstandin Xhuvani ka qenë në kërkim, Prokuroria nuk dha masë arresti

Në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Brendshme sqarohet në detaje ngjarja e ndodhur në muajin prill 2014 në qytetin e gurtë, për të cilën Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka toleruar për shkak të përkatësisë politike të së ëmës , Konstandin Xhuvani.

“Policia e Shtetit ka vepruar gjithnjë me korrektësi para ligjit, pavaresisht se cili person ka qenë përpara”, theksohet në deklarate. “Në datë 25.04.2014, rreth orës 19:30, shërbimet e policisë së Komisariatit Gjirokastër janë njoftuar se pranë lokal “Lithiumi” në lagjen 18 Shtatori, ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm”, theksohet në deklaratën e MPB-së.

Sipas Ministrisë së Brendshme, nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje, ka rezultuar se konflikti ishte shkaktuar për shkak të dy vajzave, mes një grupi prej 3 të rinjsh dhe të nje tjetër shtetasi që shoqërohej me vajzat. Djemtë pasi kishin dalë nga lokali kishin filluar të ofendoheshin me njëri-tjetrin dhe të shtyheshin me duar, por pa u goditur. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë në ajër dhe pas kësaj ai është larguar në drejtim të vendit ku qëndrojnë taksitë. Nga të shtënat u dëmtua xhami i një automjeti, por nuk ka pasur persona të dëmtuar.”

Nga informacionet e menjëhershme të marra në rrugë operative është mësuar se i dyshuar për këtë ngjarje ishte shtetasi Kostandin Xhuvani, theksohet në komunikatën e MPB-së. Gjithashtu është bërë veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë dhe të tre personat e pranishëm në momentin e ngjarjes kanë identifikuar fotografinë e të njëjtit person, e cila i përkiste shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani, i cili ka qënë personi që është konfliktuar me shtetasin Ergys Gashi si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër”, nënvizohet në deklarate.

“Po atë ditë, me shkresë nr. ekstra (883), datë 25.04.2014, është bërë shpallja në kërkim me kartelë me ngjyrë “rozë” e personit të dyshuar për këtë ngjarje, shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani. Me shkresën nr.786, datë 27.04.2014, materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit Kostandin Xhuvani i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, të parashikuara nga neni 84 dhe 278, të K. Penal. Gjatë kohës që ky shtetas ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj këtij shtetasi, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 56/1 datë 27.05.2013, “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës në datë 27.05.2014, është bërë anullimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor”, përfundon deklarata për shtyp.

Komunikata për shtyp e Ministrisë së Brendshme vjen një ditë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në kryeqytet, ku si pasojë e një përleshje me armë mbetën të vrarë katër persona, tre të rinj dhe një 60-vjeçar. Autor i dyshuar i kësaj ngjarje të ndodhur në orët e para të së martës, në rrugës së Elbasanit, pranjë nje klubi nate, është Konstandin Xhuvani, djali i ish-deputetes së Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani (Aktorja e mirënjohur Shqiptare pas lajmit dha menjëherë dorëheqjen si deputete e Kuvendit). Bashkë me Xhuvanin u arrestuan edhe dy persona të tjerë, njër prej të cilëve akuzohet si bashkëpunëtor i Xhuvanit, ndërsa personi tjetër u la i lirë disa orë më vonë, pasi nuk rezulton i përfshirë në krim.

SHKARKO APP