Ministria e Brendshme: Moti i keq, ja situata në vend

Ministria e Brendshme ka bërë një panoramë të situatës së 24 orëve të fundit, si rezultat i motit të keq me reshje të dendura shiu.

Reshjet më intensive mësohet se  kanë qenë në qarkun e Vlorës, Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Shkodrës, ndërkohë në disa zona malore ka patur reshje dëbore si në qarkun e Kukësit, Elbasanit dhe Korçës, por me intensitet të ulët.

Në të gjithë qarkun e Kukësit në lartësitë mbi 700 m dëbora arrin deri në 10 cm, kurse në Njësinë Administrative Stëblevë, bashkia Librazhd, dëbora arrin në trashësinë deri në 5 cm, por pa krijuar probleme.

Akset kombëtare dhe rurale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

QARKU VLORË

Gjatë 24 orëve të kaluara moti ka qenë me reshje shiu me intesitet të ulët, të cilat pas mesnatës u bënë intensive duke krijuar prezencë uji në rrugët e qytetit. Në zonën e Shkollës së Marinës për shkak të punimeve në segmentet rrugore të brendshme pati probleme me prezencë të shtuar të ujit në oborret e dy banesave. Forcat zjarrfikëse ndërhynë duke larguar ujin nga oborret.

QARKU DURRËS

Reshjet e rëna gjatë mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar rritjen e prezencës së ujërave në disa zona të qytetit, si në Shkozet dhe në lagjen e Kënetës, por pa shkaktuar dëme.

QARKU TIRANË

Në qarkun e Tiranës ka patur reshje intensive shiu sidomos në pjesën e dytë të ditës së djeshme. Në qytetin e Tiranës pati prezencë të ujrave sipërfaqësore në rrugën “Don Bosko”, “Medar Shtylla”, pranë shkollës profesionale Teknologjike, në disa zona në Kombinat, por ujërat kanë qenë të përkohëshme dhe me ndërprerjen e reshjeve situata u normalizua.

Në qarqet e tjera të vendit ka patur reshje normale dhe nuk raportohet për situata emergjente të krijuara prej kushteve të motit.

SHKARKO APP