Ministria e Jashtme hap dosjet për publikun, zbulohen dokumentet nga 1912 deri më sot

 

Ministria e Jashtme  do të hapë dosjet që disponon mbi veprimtarinë e diplomacisë shqiptare për publikun e gjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme i fton qytetarët që të shfrytëzojnë arkivin që ky institucion disponon.

“Për të pasur akses në pasuritë arkivore historike të shërbimit të jashtëm shqiptar, çdo i interesuar vendas apo i huaj, duhet të paraqesë pranë Drejtorisë së Arkivit Historik dhe Dokumentacionit një kërkesë personale ose në emër të institucionit që ai përfaqëson.

Në kërkesë përmendet saktësisht objekti i hulumtimit në pasurinë arkivore të institucionit dhe periudha kohore e krijimit të dokumentacionit të kërkuar. Në kërkesë vendosen edhe mundësitë e kontaktit për  të komunikuar pas miratimit të kërkesës. Studimi i dokumentacionit arkivor kryhet në Sallën e Studimit pranë Drejtorisë së Arkivit Historik dhe Dokumentacionit ku janë të vlefshëm edhe katalogët informues rreth fondeve dokumentare.

Çdo interes për kopje të autorizuara të dokumenteve arkivore të shërbimit të jashtëm, depozitohet pranë kësaj Drejtorie e cila e realizon këtë shërbim pasi i pala kërkuese ka kryer pagesën përkatëse në Banke në llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftim.

Ministria e Jashtme administron pasurinë dokumentare arkivore të krijuar nga shërbimi i jashtëm shqiptar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar në v.1912 e në vazhdim.

Ajo administron  gjithashtu fondin origjinal të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara nga shteti shqiptar pas krijimit të tij.

Administrimi i kësaj pjese të trashëgimisë historike kombëtare  e cila pasurohet çdo vit me prurje të reja dokumentare, si dhe shfrytëzimi i saj për interesat e politikës së jashtme dhe komunitetit të shkencës kryhet nga Drejtoria e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit pranë këtij  institucioni.Arkivi Historik i diplomacisë shqiptare është anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (International Council of Archives-ICA), me qendër në Paris.

Shfrytëzimi i këtij fondi dokumentar bazohet në Ligjin nr.9154, dt.6.11.2003 “Për Arkivat”.  Sipas nenit 61, pika 2, të  këtij ligji, dokumentet që administrohen në institucionet arkivore shtetërore, jepen për shfrytëzim pasi kanë kaluar 25 vjet nga data e krijimit të tyre.

Për dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror”, procedohet sipas masave që parashikon Ligji Nr.8457, dt.11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.

SHKARKO APP