Ministria e Kultures shpall 10 fituesit e Krijimtarisë Letrare Shqiptare

 
 

Ministria e Kulturës shpall 10 fituesit e Krijimtarise Letrare Shqiptare, të cilët do të financohen nga Ministria me një shumë prej 250.000 lekë.

Në thirrjen për këtë konkurim u paraqitën 57 drafte krijimtarie të cilat iu nënshtruan për rreth një muaji procesit të përzgjedhjes nga ana e Jurisë.

Juria, e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga Prof. Asoc. Dr.Çapajev Gjokutaj, studiues i letërsisë, z. Ardian Vehbiu, shkrimtar e studiues, z. Ben Andoni, gazetar e përkthyes, mori në shqyrtim draftet e koduara, pa emrat e autorëve përkatës, për të siguruar paanshmëri të plotë në procesin e vlerësimit.

Në përfundim të procesit vlerësues, Juria përzgjodhi si të meritueshme për mbështetje financiare veprat e mëposhtme – autorët e të cilave u bënë të njohur pasi gjithsecili nga anëtarët e jurisë kishte depozituar vlerësimin e vet me pikë.

Në gjininë e poezisë:
1. Luljeta Lleshanaku
2. Rudina Çupi

Në gjininë e prozës së shkurtër:
1. Idlir Azizaj
2. Josif Papagjoni
3. Arben Dedja

Në gjininë e romanit:
1. Arian Leka
2. Romeo Çollaku
3. Gazmend Krasniqi
4. Grigor Banushi
5. Darien Levani

Për vlerësimin e këtyre autorëve, juria u bazua në këto kritere:

1. Aftësinë për t’i dhënë frazës dhe tekstit një formë estetike, ku zotërimi i të shprehurit të ndërthuret me aftësinë për ta befasuar lexuesin.
2. Freskinë dhe gjallërinë e figuracionit dhe të ritmit (në poezi).
3. Praninë e shenjave se autori është në kërkim prioritar të risive në formë.
4. Tematika jo-rutinë, stimuluese dhe tërheqëse për lexuesin.
5. Prova që personazhet e prezantuar nuk janë hije as stereotipe të letërsisë së traditës.

Juria gjithashtu vëren me keqardhje se pati edhe ndonjë autor që nuk arriti të përfshihej në dhjetëshen fituese ndonese prurjet ishin interesante. Vlerësimi është kryer në respekt të pikëzimit dhe të metodologjisë së vlerësimit vetëm të vlerës së projektit letrar dhe jo të CV letrare të aplikantëve.

Një dukuri e tillë nuk mund të shmangej dhe ajo tani dëshmon që procesi i vlerësimit dhe i përzgjedhjes ka qenë më objektivi i mundshëm. Po kështu Juria i inkurajon autorët jo fitues të vijojnë me shkrimin e teksteve letrare duke premtuar kështu krijime te suksesshme.

Juria dëshiron të përgëzojë autorët për cilësinë e drafteve të paraqitura në konkurim dhe uron 10 fituesit me bindjen se do të arrijnë të çojnë deri në fund projektet e tyre dhe t’i japin lexuesit vlera letrare të mirëfillta.

SHKARKO APP