Ministria e Mbrojtjes raporton për situatën e zjarreve: Në 24 orë u raportuan 23 vatra, 5 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me situatën me zjarret në vend.

Njoftimi:

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave. Sot mbeten aktive vatrat në:
Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private.

Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intesitet të ulët. Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati.
Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.

Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.

Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare.
Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.
Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe FA do të vijojnë të jenë në ndihmë të komunitetit në bashkëpunim me pushtetin vendor.

SHKARKO APP