Ministria e Shëndetësisë: E vërteta për shpifjen e radhës së Opozitës së vjetër

Placeholder Image

 Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sot për akuzat e bëra nga kryetarii i PD, Lulzim Basha. Kreu i PD tha dje se analistat e Check-Up janë fiktive. 

 Reagimi i MSH

“Në përgjigje të deklaratës së dt. 07/02/2016, të kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, i cili pretendon se analizat e programit të kontrollit bazë pa pagesë 40-65 vjeç nuk bëhen fare ose bëhen sa për të kaluar rradhën, duke sjellë abuzivisht shembullin e një qytetareje që, sipas tij, ka dalë me vlerën e proteinës 25, çka do të thotë, po sipas tij, se gruaja është në gjendje të rëndë dhe në shtratin e dializës, pa sqaruar saktësisht se çfarë përfaqëson në të vërtetë kjo vlerë, ndërkohë që sipas deklaratës, zonja gëzon shëndet të shkëlqyer dhe si Dëshmitare e Jehovait ecën gjithë ditën në këmbë, Ministria e Shëndetësisë sqaron opinionin publik si më poshtë vijon:

Në një letër drejtuar Ministrit të Shëndetësisë, duke garantuar transparencën dhe integritetin profesional, stafi i Mjekëve të Laboratorëve të kompanisë 3P Life Logistic, Sh.p.k., saktëson se qytetarja me NID G25820068S, gjatë ekzaminimit të parametrave Biokimikë në gjak me dt. 05/12/2015 rezulton me nivel të glicemisë në gjak 116.5 mg/dl (vlerat normale 70 – 115 mg/dl). Niveli i Kolesterolit në gjak 373.37 mg/dl (vlerat normale 145 – 220 mg/dl) dhe Trigliceridet me një vlerë prej 280 mg/dl (45 – 150 mg/dl). Në ekzaminimin e urinës qytetarja rezulton me nivelin e Glukozës në urinë 300 mg/dl.

Në letrën e tyre, mjekët sqarojnë se niveli i Glukozës në urinë shpreh përqëndrimin plazmatik të Glukozës në gjak. Pra, qytetarja në fjalë ka nivel lehtësisht të rritur të Glukozës në gjak, dhe po kështu, eliminim të rritur të Glukozës në urinë. (Urina e mëngjesit është e koncentruar, e për pasojë, niveli i glukozës në urinë mund të jetë më i rritur.)

Gjithashtu, niveli i Kolesterolit në gjak është i njëjtë në të dyja rastet, si në laboratorin e kompanisë 3P Life Logistic, po ashtu edhe në laboratorin ku pacientja ka kryer sërish analizat.

Niveli i Trigliceridit është i rritur në të dyja rastet, por nuk mund të jetë i njëjtë, pasi reflekton ushqyerjen e ditëve të mëparshme, aq më tepër që ripërsëritja është kryer fill pas ditëve të festave të Vitit të Ri, ku edhe konsumi ushqimor është më i lartë.

Për të vlerësuar nivelin e Glukozës në gjak rekomandohet të kryhet një analizë, si Hemoglobina e Glukozuar, e cila vlerëson nivelin e glukozës në retrospektivë për 3 muaj. Ndërkohë, që duhet te theksojmë, vazhdon më tej letra, faktin se analizat kanë një diference prej 1 (biokimike) dhe 2 (urina) muaji nga njëra-tjetra.

Pra, të dy (2) testet e ripërsëritura janë kryer në një distancë kohore prej 1 muaji nga njëra-tjetra (përkatësisht, 5/01 dhe 4/02), dhe për pasojë, nuk mund të vlerësojnë situatën klinike të pacientit.

Gjithashtu, letra sqaron se laboratori i kompanisë 3P Life Logistic është i Akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke siguruar se ekzaminimet e kampionëve bëhen në përputhje të plotë me protokollet laboratorike të  ekzaminimit të mostrave dhe procedurat e kontrolleve të cilësisë, të cilat garantojnë saktësinë  e rezultateve.

Së fundi, Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë me forcë deklaratat publike tërësisht joprofesionale dhe çoroditëse, me të cilat PD na ka mësuar edhe më herët kur flet qorrazi për rezultate prostate te gratë që kanë kryer check-up, kur është botërisht e njohur dhe lehtësisht e verifikueshme se kjo paketë nuk përmban teste depistimi për sëmundje të tilla, si p.sh., testin e PSA (Prosthate-Specific Antigen) që përdoret për kancerin e prostatës, apo depistime të tjera, si p.sh., PAP-Test-in ose HPV-në që përdoren për depistimin e kancerit të mitrës, sepse paketa përmban depistime dhe kontroll bazë që janë specifike për këtë grup-moshë.

Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje sërish të gjithë shqiptarëve në grupmoshën 40-65 vjeç të përfitojnë nga programi falas i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë, duke e kryer check-up-in pranë qendrës së tyre shëndetësore të vendbanimit”.

SHKARKO APP