Ministria zbulon fatin e 5 marinarëve të bllokuar në Libi
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ka reaguar në lidhje me bllokimin e 5 marinarëve shqiptarë në Libi, pasi akuzohen se po kryenin transport të paligjshëm të mallrave. MEPJ me anë të një njoftimi për mediat tha se autoritetet e Libisë kanë konfirmuar se marinarët janë mirë dhe nuk kanë pasur asnjë problem, ndërsa shtoi se po punohet që ekuipazhi të riatdhesohet.
Deklarata
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon angazhimin maksimal për zgjidhjen e situatës së krijuar me 5 marinarët shqiptarë, pjesë e anijes tregtare “Envi 1”. Po punohet në të gjitha drejtimet që nga komunikimi i vazhdueshëm me autoritetet libiane apo kontakti me kapitenerinë në vend. MEPJ bën me dije se ka marrë kontakt me 5 shtetasit shqiptarë, të cilët kanë konfirmuar se janë mirë dhe nuk kanë pasur probleme apo rreziqe. MEPJ vijon të ndjekë me prioritet maksimal situatën dhe se po bën përpjekjet e saj që ekuipazhi të riatdhesohet sa më shpejt”, thuhet në reagimin e MEPJ.

