Ministrja Albana Koçiu: 4500 vizita mjekësore në spitalin e Sarandës nga 1 qershori
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thotë se spitali i Sarandës po përmbush një rol të rëndësishëm gjatë sezonit turistik, duke qëndruar çdo ditë në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Koçiu vlerësoi se falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit mjekësor dhe mbështetjes së qendrave shëndetësore verore, ky spital ka arritur të ofrojë shërbime shëndetësore të pandërprera dhe cilësore. ”Nga data 1 qershor deri më sot, janë kryer rreth 4500 vizita mjekësore, duke siguruar kujdes të duhur për të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë mjekësore” u shpreh ministrja ndërsa ndau opinionet e mjekëve të këtij spitali.
Shefja e pediatrisë, Melborna Gjatë u shpreh se numri i vizitave varion në 60-70 vizita në ditë. ”Janë kryesisht pushues të huaj, të cilët pasi vijnë, kryejnë konsultën me mjekun pediatër, ekzaminimet imazherike dhe laboratorike që mundësohen në spital në varësi të rastit për të komfirmuar diagnozën dhe vazhduar më tej terapinë dhe trajtimin”, tha ajo.
Mjekja e urgjencës Ina Daja u shpreh se në ndihmë të spitalit të Sarandës kanë ardhur edhe dy qendrat shëndetësore të Ksamilit dhe një e Borshit. “Autoambulanca jonë është 24 orë në shërbim”, tha ajo.