Ministrja Balluku: Situata e mirë, nuk ka rritje të çmimit të energjisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka hedhur poshtë akuzat për planifikimin e një shtrenjtimi të tarifave, si pamundësi e buxhetit për të përballuar rritjen e pagave të energjisë elektrike.

“Kryeministri nuk tha që do të diskutohet tarifa, pasi tarifën ne e kemi deklaruar në vitin më të zi për energjinë në mbarë botën, 2022, dhe treguam që ndryshe nga vendet e tjera europiane tarifa familjare dhe për bizneset e vogla dhe të mesme nuk u prek. Dhe kur nuk u prek vjet, imagjinoni sa mund të preket sivjet”, deklaroi Balluku për A2 CNN.

Zv/kryeministrja deklaroi se me ardhjen e sezonit veror, situata energjetike përkeqësohet për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit që mbështeten mbi prodhimin nga hidrocentralet. Ky moment, do të shtyjë qeverinë të nisë një analizë të situatës dhe të shqyrtojë nëse do të aplikojë fashat. Edhe pse sipas Ballukut, të gjithë treguesit flasin për një probabilitet të ulët që kjo të ndodhë.

Çmimi i blerjes së energjisë në bursat pranë Shqipërisë varion sot nga 76 deri në 100 euro për megavat orë, teksa një vit më parë çmimi më i ulët niste nga 208 euro për njësi.

SHKARKO APP