Ministrja Denaj: Bashkëpunimi rajonal forcon ekonominë rurale dhe rrit sigurinë ushqimore për konsumatorët
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, Teknologjive, Ushqimit dhe Përpunimit “Ditët e bujqësisë 2024”, që u çel sot në qytetin e Lushnjës. Denajtha se panairi në këtë edicion bën bashkë mbi 90 biznese bujqësore e prodhues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Spanja, Zvicra, Gjermania dhe më gjerë.
“Një bashkëpunim rajonal, por njëkohësisht për të kuptuar që mes nesh marrëdhëniet e vendeve dhe komunikimi i bizneseve është i rëndësishëm për ne si politikbërës për të operacionalizuar jetën e tyre pa barriera, pa vështirësi dhe pa burokraci”, u shpreh ministrja Denaj. Për të eksportet në Shqipëri kanë njohur rritje nga viti në vit.
Sipas Denaj, detyra e Ministrisë së Bujqësisë, dhe e gjithë vendeve të rajonit është që të ofrojmë politika se si kjo siguri ushqimore të jetë e qëndrueshme, e zhvilluar dhe me kosto optimale. “Mbi të gjitha dëshirojmë që të gjithë të ushqehen shëndetshëm, por njëkohësisht të përballen me sfidat që ndryshimet klimatike na ofrojnë dhe do të jenë gjithnjë e më të vështira në të ardhmen”, tha Denaj.