Ministrja Denaj: Kërkimet shkencore në shërbim të politikëbërjes së Ministrisë së Bujqësisë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencën e Bujqësisë dhe të Jetës (ICOALS IV) që u zhvillua në Tiranë, tha se nevoja për të dinamizuar më tej dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit, më shumë sesa kurrë sot, ka nevojë për një bashkëpunim në aspektin shkencor akademik për ta çuar përpara këtë ekonomi, jo vetëm në shifrat e kontributit të PPB, por mbi të gjitha në zhvillimin e teknologjisë, inovacionit dhe produktivitetit.

Denaj vlerësoi figurat e nderuara të profesorëve, që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e bujqësisë në vite, dhe kanë ndërtuar në këtë fakultet një gur themeli për zhvillimin ekonomik bujqësor e blegtoral në Shqipëri. Teksa çmoi prezantimin në këtë konferencë të më shumë se 40 punimeve nga akademikë jo vetëm shqiptarë por dhe të huaj, që kanë ardhur nga Kroacia, Mali i Zi, SHBA-ja, Austria, Gjermania, Italia, Polonia, Maroku, etj., që ndihmojnë në zhvillimin e përbashkët.

Kërkimi juaj shkencor duhet të jetë gjithmonë e më shumë në funksion të politkëbërjes dhe ne si politikëbërës nuk mund të zhvillojmë një politikë të qëndrueshme pa ndihmën e punëve tuaja të vyera. Në sfidat e bujqësisë shqiptare, absolutisht është nevoja për të vendosur strategjinë në perspektivën ku inovacioni jep dhe orienton zhvillimin dhe në sektorin e bujqësisë. Por ky inovacion nuk mund të vijë i shkëputur pa zhvillimin ekonomik dhe pa kontributin e kërkimit shkencor”, deklaroi Denaj.

Ministrja solli në vëmendje se si investimet e sipërmarrjes private me mbështetjen e IPARD kanë rritur cilësinë dhe produktivitetin duke zgjeruar eksportet. “Krijimi i një ekonomie shkalle me cilësi, është binomi që duhet të prevalojë në tërheqjen e të rinjve drejt bujqësisë”, vuri në dukje Denaj. Ndërkohë, vijoi Denaj, kemi faktorë të jashtëm, ku jo vetëm Shqipëria, por edhe gjithë bota kërcënohet, së pari nga faktorët klimatikë. “Mjaft punë tuajat sot këtu, patjetër që evidentojnë sesi mundet të kthejmë qasjen ndaj investimeve drejt parandalimit të krizave nga faktorët klimatikë”.

Për të shkenca si në vendet në rajon, dhe më gjerë ka nevojë të adresojë parandalimin e shfaqjes së virulencës apo dëmtuesve dhe sëmundjeve në bimë e në kafshë, teksa falenderoi të gjithë mjekët veterinerë, që garantojnë çdo ditë shëndetin e konsumatorëve. Denaj tha se luftërat në botë kanë kërcënuar zinxhirin e furnizimit. “Këtu duhet të mendojmë se si në mënyrë inteligjente i gjithë rajoni dhe jo vetëm Shqipëria, janë bashkë që të gjejnë bashkëpunimin akademik për të sjellë më të mirën për të ndihmuar këtë zinxhir të produktit dhe jetës”, tha ajo.

“Përveç strategjive dhe projekteve për ta çuar përpara këtë sektor, kërkohen edhe shumë specialistë të mirë që njohin fushën e bujqësisë dhe zhvillimin e saj. Universiteti Bujqësor i Tiranës, është duke përgatitur liderë të së ardhmes në këtë drejtim, me një kurikul të mirëstudiuar, si dhe me degë unikale, të cilat nuk gjenden në universitetet e tjera në vend”, theksoi ministrja. Duke iu drejtuar biznesit dhe sipërmarrjes në sektorin e bujqësisë, Denaj tha se “ne motivojmë zhvillimin tonë politikëbërës dhe akademik vetëm falë tyre dhe nuk mund të ketë ekonomi nëse bujqësia blegtoria agrotuzimi nuk kanë incentivin e guximit të atyre që janë përfaqësues biznesi”.

“Të punosh sot në bujqësi kërkon shumë guxim, pasi dihen vështirësitë, por unë shoh se ndryshe nga çdo sektor tjetër, bujqësia është një nga sektorët që ka më kurajozët dhe më këmbëngulësit, sepse përtej vështirësive të breshrit, të mungesës së financimeve dhe vështirësive të tjera, prap punojnë me tokën. Kjo është dashuri dhe kjo vlerë e sipërmarrësve tanë duhet shpërblyer duke i vendosur ata në fokus dhe duke i kërkuar që këta përfaqësues biznesi të jenë përfituesit e parë të kërkime shkencore dhe së bashku me me politikëbërësit dhe pedagogët të kenë një trinom për ta çuar përpara këtë mision, jo vetëm me aleancën dhe mbështetjen e universitetit, dhe MBZHR është një derë e hapur për kërkim shkencor”, deklaroi Denaj.

SHKARKO APP