Ministrja Denaj: Në një muaj do të kemi 50-60 mijë të papunë më shumë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një interviste për ‘Ilva Now’ deklaroi se nga kriza e COVID-19, në Shqipëri papunësia brenda një muaji mund të rritet me 50-60 mijë persona. Por, shifrat mund të jenë akoma edhe më shumë pesimiste nëse kjo situatë do të vijojë edhe për shumë kohë.

“Kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur sepse lidhet me atë impakt të padëshiruar. E di që është e paevitueshëm që do të ketë nnjë rritje të numrit të papunëve. Papunësia në një 1 muaj do të shkojë në nivelin e 50-60 mijë të papunë. Nëse kjo periudhë zgjat mendoj se do të rritet. Ky numër është një kalkulim që vjen në masat aktuale të kufizimit të lëvizjeve.  Ka biznese që janë duke menduar ridimensionimin. Shikoj që bizneset po rrisin numrin e largimeve nga dita në ditë”, theksoi znj. Denaj.

Më tej, ministrja e Financave nënvizoi se për këtë kategori që do të humbin vendin e punës, qeveria do të ofrojë një ndihmë sa gjysma e pagës minimale në vend që është në nivelin 27 mijë lekë. “Kemi një skemë e cila është skemë e ndërtuar prej kohësh, që ndihmon me një fond sa gjysma e pagës minimale të papunët. Fondi ka një rregull të caktuar, nëse një person ka kontributet prej një viti merr një muaj fond nga papunësia”, u shpreh ministrja.

Nga ana tjetër qeveria po diskuton një paketë të dytë për të ndihmuar bizneset që janë dëmtuar nga COVID-19, ku pritet të përfshihet biznesi i mesëm dhe i madh. Lidhur me kohën se kur mund të hiqen kufizimet, znj. Denaj tha se, pritet që brenda muajit prill të ketë biznese të hapura. “Do të shikohet se si ecën dhe këtë javë numri i të infektuarve. Do të fillojë në mënyrë të përshkallëzuar, nuk do të hapen menjëherë”, tha ajo.

SHKARKO APP