Ministrja Denaj pret ambasadoren e Francës, vijim i bashkëpunimit në fushën e bujqësisë
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim ambasadoren e Francës, në vendin tonë, Catherine Suard dhe atasheun për Bujqësinë, Alexandre Martinez. Denaj bëri të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua mbi gjetjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
“Diskutuam se si mund të vijojmë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe sidomos të projektit francez IVEA të Institutit të Blegtorisë IDELE në bashkëpunim me QTTB Korçë, në përpjekje për ta kthyer këtë qendër në një pikë të rëndësishme mësimore”, u shpreh ministrja Denaj.
Mbrojtja e transhumancës shqiptare nga UNESCO, dhe shkëmbimi i eksperiencës në këtë praktikë të përbashkët shekullore, ku Franca ka bërë hapa përpara në identifikimin dhe mbrojtjen e shtigjeve të migrimit të bagëtive për verim drejt staneve, ishte një pikë ku u ndalën të dy palët, gjatë bisedës.