Ministrja Denaj: Taksa e produkteve plastike do rishikohet nëse nuk ndot ambientin
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, zhvilluan përmes Platformës së Bashkëqeverisjes një interepelancë me përfaqësues të biznesit mbi ndryshimet në Paketën Fiskale mbi taksimin e produkteve plastike dhe lëndëve të para që importohen për prodhimin e tyre.
Gjatë interpelancës, dy ministrat iu përgjigjën pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga ana e biznesit lidhur me ndryshimet e bëra në Paketën Fiskale.
Ministrja Denaj theksoi faktin se objektivi i ndryshimeve në regjimin fiskal për këto produkte nuk ka qenë ai i rritjes së barrës fiskale apo disfavorizimi i prodhimit vendas, por mbrojtja e mjedisit nga produktet plastike, si dhe lufta ndaj evazionit dhe informalitetit.
Megjithatë, Ministrja tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e hapur për të rishikuar aplikimin e regjimit aktual fiskal, nëse ai prek edhe produkte të lëndës së parë që në finale nuk shkojnë për prodhimin e një produkti që ndot ambientin.
“Për sa kohë ne nuk synojmë të rrisim taksat, synimi ka qenë të ndihmonim ambientin. Çdo produkt, i cili nuk është produkt final që dëmton ambientin nuk mund të ketë të njëjtën peshë dhe ngarkesë. Këto jemi të gatshëm t’i rishikojmë dhe t’i kthejmë në regjimin e mëparshëm”, u shpreh Ministrja Denaj.
Ministrja tha se propozimet për rishikimin e regjimit fiskal për produktet plastike dhe lëndëve të para që importohen për prodhimin e tyre do të përgatiten brenda këtij muaji dhe do të diskutohen me përfaqësues të biznesit, si dhe shprehu angazhimin e institucionit që drejton për një konsultim publik më të mirë për proceset vendimmarrëse që prekin biznesin, ashtu si dhe për përgatitjen në kohë të udhëzimeve përkatëse nga ana e MFE.
KOHA JONË SONDAZH

