Ministrja Denaj: Vendet e rajonit duhet të modernizojnë modelin e biznesit
Ministrja Anila Denaj, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF), me temë përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi se “Ballkani Perëndimor ka nisur të shkruajë një kapitull të ri duke ulur rreth një tavoline të përbashkët vendet për të folur mbi mundësitë tona të së ardhmes”.
Ndërsa në fjalën e saj, Ministrja Denaj vlerësoi krijimin e platformës për përshpejtimin e konkurrueshmërisë dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor, si një platformë e bashkëpunimit publik dhe privat që synon të mbështesë rajonin në përmirësimin e konkurrencës dhe në sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Ministrja Denaj tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet t’i kushtojnë rëndësi transformimit të modelit aktual të biznesit drejt modelit “smart” të së ardhmes, të orientuar drejt inovacionit, duke synuar përmirësim të konkurrueshmërisë dhe cilësisë.
“Ne duhet të mendojmë për biznese të zgjuara dhe për këtë ne duhet të mendojmë në rajon si të transformojmë modelin aktual të biznesit në një model të së ardhmes, që do të sjellë për ne si rajon mundësi për tu zhvilluar më tej dhe se si mund të krijojmë edhe shkallëzimin e këtyre çështjeve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, dhe të përmirësojmë cilësinë”, tha znj. Denaj.
Gjithashtu, Ministrja Denaj vuri theksin në rëndësinë e arsimit dhe trajnimit profesional sa i përket zhvillimit të konkurrueshmërisë së bizneseve.
“Një aspekt shumë i rëndësishëm lidhet me faktin se si mund të sjellim arsimin dhe trajnimin profesional në këtë plan dhe të transformojmë edhe mënyrën se si e shikojmë arsimin profesional edhe në të gjithë zinxhirin e profesionalizimit, i cili është i lidhur me këto ndryshime në modele biznesi dhe në këtë kohë të biznesit “smart” të së ardhmes”, u shpreh Ministrja.
Në këtë aktivitet që u zhvillua te Shtëpia e Europës, morën pjesë Ministrat e Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.