Ministrja e Bujqësisë, Denaj: 27 hidrovore punojnë me kapacitet të plotë, niveli i lumenjve në kuota normale

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj informoi se deri tani nuk ka problematika në largimin e ujit nëpërmjet infrastrukturës së kullimit. Sipas Ministres, ekipet e drejtorive të Ujitje-Kullimit janë në monitorim të plotë të infrastrukturës në të gjithë territorin, për të siguruar një situatë optimale pas reshjeve të dendura të shiut.

“27 hidrovoret janë duke punuar me kapacitet të plotë dhe furnizohen normalisht me energji, për të mbajtur në nivele të ulëta ujin në kanalet kulluese. Niveli i ujit në kanale e lumenj me rrjedhje të lirë është në kuota normale. Argjinaturat mbrojtëse të lumenjve nuk kanë pësuar dëmtime nga prurjet”, u shpreh Ministrja.

Denaj informoi se po kryhen ndërhyrje në Shalës dhe Cërrik, duke pastruar me eskavator kanalet e kullimit që kanë pasur bllokime nga mbetjet e ngurta, për të shmangur përmbytjet nëse reshjet vijojnë.

“Në lumin Osum në Berat, po monitorohet rritja e nivelit në mënyrë të vazhdueshme për të ndërhyrë sipas nevojës. Të gjithë shtabet e emergjencave të Drejtorive të Ujitje-Kullimit Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë, gjenden në terren për të ndërhyrë me ekskavatorë, në raste të situatave emergjente”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP