Ministrja e Bujqësisë, Denaj: Garancia e cilësisë dhe sigurisë rrit vlerën e produkteve shqiptare
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë ktë të premte në aktivitetin “Kultivojmë të ardhmen”, i organizuar në kuadër të “Javës së Italisë” nga Ambasada Italiane në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS-Tirana) dhe CIHEAM Bari, ku u theksua bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.
Ministrja Denaj vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit Itali-Shqipëri në sektorin e bujqësisë me synim vendosjen e mirëqenies, agroekologjinë dhe inovacionin në favor të sistemeve të qëndrueshme agroushqimore në Shqipëri, si një model referimi për Ballkanin Perëndimor.
“Siguria ushqimore nuk është një shërbim, siguria ushqimore është kthyer në një mision ku çdo investim, kontribut nga ekspertët dhe çdo shpenzim buxhetor në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e njohurive, investimet në teknologji dhe inovacion, ndikojnë drejtpërdrejtë në garancinë për produkte cilësore të sigurta dhe në rritjen e vlerës për produktet shqiptare”, theksoi ajo.
Gjatë eventit u mbajt dhe ceremonia në kuadër të projektit SAFIAL ”Forcimi institucional i Ministrisë së Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural për menaxhimin e Sigurisë Ushqimore”, ku u dorëzuan automjetet e dhuruara nga AICS për MBZHR dhe AKVMB.