Ministrja e Financave: Nuk parashikojmë recension ekonomik, ia kemi konfirmuar edhe FMN-së

Ministrja e Financave, Anila Denaj deklaron se Shqipëria nuk do të përfundojë në recension ekonomik si pasojë e krizës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.
E ftuar në “Java” në RTSH, Denaj theksoi se këtë ia kishte konfirmuar edhe FMN-së, pavarësisht se ky institucion parashikon recension për vendin tonë.

E pyetur për masat për të përballuar situatën, ajo theksoi se mënyra më e mirë është ulja e shpenzimeve.

“Unë do të isha më e qetë të adresonim uljen e shpenzimeve. Si çdo familje që në situata krize ul konsumin. Në këtë moment, buxhetet më të mëdha i ka Ministria e Infrastrukturës.

Nëse dalim shpejt nga kjo situatë, pse duhet të stopojmë ndërtimin e rrugëve apo procesin e rindërtimit. Në skenarin më negativ, ne kemi menduar uljen e shpenzimeve. Nëse do të fillojmë hapjen, absolutisht edhe skenarët negativ nuk do të materializohen, por janë aty për dy element.

Në aspektin e rritjes ekonomike, do ta kemi 2%. FMN ka parashikuar recension, por ne nuk parashikojmë recension. Rritja ekonomike edhe pse e moderuar dhe me të ardhura nga Tatimet dhe Doganat më të ulëta, ku në skenarin aktual kemi parashikuar 20 miliardë lekë, por në skenarët më negativ, trefishin.

Tregu financiar bankar është një treg jo vetëm solid por edhe likuid. Në një situatë më të jashtëzakonshme, ndërhyn Banka e Shqipërisë, por nuk do të shkojmë atje”, u shpreh ajo.

Ajo u pyet edhe për paketën e dytë të zgjeruar, duke mos preferuar të jepte detaje.

“Kryeministri ka anonçuar disa sinjale që paketa e dytë është duke ardhur dhe adreson disa nevoja për pagesat bazë për punonjës që janë të ekspozuar nga dalja e tregut të punës. I takon kryeministrit ta prezantojë paketën. Është akoma në diskutim. Në radhë të parë është për të parë se kush nga këto biznese e ka ndjerë më shumë me fokusin e vetëm që të mos rritet niveli i papunësisë.

Janë dy faktorë që mund ta rrëzonin çdo lloj kalkulimi tonin. Opsioni optimist është që me hapjen, do të bënte të mundur që bizneset të rinisnin punë. Edhe kjo periudhë është afektim për biznesin”, shtoi.

SHKARKO APP