“Ministrja e paaftë”, eksperti i arsimit tregon dy rrugët për tu kthyer maturantëve atë që u takon
Provimi i dytë i Maturës Shtetërore në lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ka shkaktuar polemika të shumta sa i takon hartimit të testit.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, i ftuar në Rtv Ora thotë se ende nuk e ka parë të plotë testin por vetëm pjesë tij dhe nga këto konstaton se ka paqartësi të cilat duhet të sqarohen nga hartuesit e tyre.
Mehmeti: Nuk është publikuar, kam parë pjesë të tij.Testi ka paqartësi që duhet të na i qartësojnë ata që e bënë testin. Nuk dihet të fshihen pas perdes së MAS apo pas murit të facebook të Ministres së Arsimit. Ajo pranoi që mund të ketë ceduar po nuk e di se ku. Sot vura re një papërgjegjshmëri totale të MAS, personi që ka marrë në dorë kërkesën nuk ka lidhje fare me maturën, e mori drejtori i shërbimeve mbështetëse që merret me ekonominë, naftën. Ndërkohë që ka zëvendësministren që ka qenë ish-drejtoreshë e gjimnazit “Qemal Stafa”, ka një komitet të maturës shtetërore, ka një këshill kombëtar të prindërve.Zonja Edlira Jorgaqi është kryetarja e këshillit. Tani ja kanë lënë dopio gjashtën QSHA.
Por si erdhëm deri këtu, ku maturantët protestojnë prej dy ditësh në rrugë?
Mehmeti: Erdhën me premtimin se do të kenë një maturë më të lehtë, e bëri Ministrja e Arsimit premtimin.Erdhi me premtimin se keni bërë mësim të shkëlqyer online dhe nuk do të keni probleme, 3 javë konsultime do t’ju mjaftojnë. Ju tha të shikojnë testet e 2006-2013, nuk ngjajnë fare me këtë test se ka pyetje me zhvillim, ese. Vetëm në 2006 kanë qenë me alternativë dhe testi ka pasur 50 pyetje. Testi prapë ndryshon dhe 2006 është shumë larg nga 2020, është ndryshuar kurrikula, kanë ndryshuar shumë gjëra. Kësaj radhe maturantët tanë ishin tejet të stresuar nga tërmeti dhe Covid. Një pjesë e maturantëve, që duhet të jenë 30%, nuk kanë vajtuar fare në konsultime se mungonte transporti. Qeveria lejonte transport për ceremoni varrimi ap ndërmarrje të ndryshme dhe nuk lejonte për nxënësit.Ka qenë shkelje dhe diskriminim.
Eksperti i arsimit thotë se ka një tendencë nga Ministria për të stigmatizuar maturantët protestues dhe për të politizuar protestën.
Mehmeti: Thonë janë pak, duan ti stigmatizojnë se janë të pesave. Me prapavijë politike? Jua tha vajza e zëvendëskryeministrit Peleshi, e cila tha se jemi ngritur jo për kryetarin e opozitës po për veten tonë. Vajza e Poradecit thotë se mezi e kuptojmë ne këtë.
Në gjykimin e tij, Ministrja duhet të kishte mbledhur me urgjencë shefat e Departamenteve, që publikisht janë shprehur hapur se edhe ata vetë nuk e zgjidhin dot një test të tillë.
Mehmeti: Ministrisë ju dërguan 10 argumenta. MAS duhet të thërrasë ekspertët, e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre. Kryeministri i ri në Kosovë e ftoi ai Akademinë e Shkencave në një plan që kishte për bisedimet me Serbinë, nuk vajtën ata dhe i trokitën. Ministrja në vend që të kërcënonte me burg të rinjtë duhet të kishte mbledhur të gjithë shefat e Departamenteve. Folën dhe thanë që edhene nuk e bëjmë dot këtë test.
Precedenti i 2009
Mehmeti thotë se precedent të ngjashëm ka pasur dhe në 2009.
Mehmeti: Na ka ndodhur një precedent i tillë në 2009. Ishte çështja e Albatrosit, nëse kjo vepër ishte apo nuk ishte në program. Maturantët u mblodhën para Ministrisë. U përballën me hartuesit e tezës, programin. Ka edhe një problem që nuk është vënë re, maturantët pretenduan se nuk dilte koha, Ministrja bën ndryshimin në 2 orë e gjysmë. Sot duhet të kishin bërë transparencë për maturantët.
Rivlerësimi e tezës ai e përjashton.
Mehmeti: Nuk bëhet dot rivlerësim, rregullorja nuk e përcakton. Nëse ndryshohet, çfarë do të rivlerësosh? Nëse ai nuk ka arritur ta kuptojë atë pyetje, nuk e koncepton dot pyetjen, çfarë kërkon ti? Ai nuk di përgjigjen.
Po cila është zgjidhja? Eksperti i arsimit parashtron dy rrugë.
Mehmeti: Ka dy rrugë për mua. Njëra është të anulohet provimi. Do të kërkojë një kohë tjetër në të cilën ne nuk jemi të sigurt që prapë provimi nuk do të cedojë. Mund të kërkojë kohë në korrigjim dhe mund të krijojë probleme sa i takon atyre që studiojnë jashtë shtetit, por mund të bëhet. Rruga e mesme ka pak “fiktivitet apo abuzitivitet” por shkon në favor të të rinjve. Merret nota mesatare 80% dhe 20% testi.
Një tjetër problem i maturës shtetërore këtë vit ishte edhe identifikimi i maturantëve.
Mehmeti: Janë me barkod, është shkelje e rëndë, personat shkojnë për ndjekje penale, është në ligj dhe rregullore. Mban përgjegjësi Komiteti i Maturës Shtetërore, MAS, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar dhe Zyrat Vendore Arsimore. Nuk ka asnjë justifikim. Dënohet me ligj.Kush e ka bërë dhe ka marrë guximin nuk e di, nuk kam dëgjuar të ketë ndryshuar ligji apo rregullorja e maturës.
E ndërsa maturantët pritet të protestojnë sërish nesër para Ministrisë, ai ka një këshillë për ta.
Mehmeti: U sugjeroj maturanëve që të ulen te dera e Ministrisë dhe të presin një përgjigje nga ata që kanë hartuar testin.Ministrja nuk është e aftë. Shpresoj shumë që zëvendësministrja Nina Guga të marrë përsipër negociimin mes maturantëve, ka qenë drejtoreshë, ka ikur vetëm pak muaj më parë dhe i njeh mirë hallet e shkollës. Do të ishte në nderin e saj dhe në identitetin profesional të saj që të dalë dhe të marrë përsipër ballafaqimin e maturantëve me specialistë që kanë hartuar testin. Nuk mund të fshihen më pas murit të facebookut të ministres. Janë edhe ata prindër, nuk janë perëndia, janë të gabueshëm, jua kemi falur gabimin por le tu kthejmë atë që u takon maturantëve tanë.