Ministrja Ibrahimaj: Furnizimi me karburante është i qëndrueshëm, tregu nën vëzhgim
Tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të shkaktuara nga konflikti me Iranin dhe luhatjet e çmimeve të naftës, kanë shtuar vëmendjen e institucioneve shqiptare mbi funksionimin e tregut të brendshëm të hidrokarbureve. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, shpjegoi masat që po merren për të garantuar furnizimin me karburant, për të monitoruar çmimet dhe për të parandaluar çdo spekulim.
Ibrahimaj bëri të ditur se monitorimi i tregut përfshin disa institucione, secila me përgjegjësi të ndryshme. Autoriteti i Konkurrencës ndjek proceset për të identifikuar abuzime ose formime oligopolistike, ndërsa ministritë përkatëse analizojnë situatën e furnizimit dhe ecurinë e çmimeve. Takimet me operatorët kryesorë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve kanë konfirmuar ekzistencën e rezervave të detyrueshme dhe kontratat afatgjata, duke eliminuar rreziqet e mungesës së karburantit në treg.
Monitorimi i çmimeve bëhet në tre nivele: bursat ndërkombëtare, çmimi i zhdoganimit dhe çmimi final në treg, duke treguar se sa shpejt ndikojnë luhatjet globale mbi tregun vendas. Të dhënat më të fundit tregojnë një rënie të lehtë të çmimit të naftës, nga 198 lekë/litër në 10 mars, në 192 lekë/litër aktualisht.
Për të parandaluar spekulimet, Tatimet dhe Doganat kanë ngritur taskforcë për verifikime në terren. Në rast të rritjeve të paarsyetuara, do të ndiqen procedurat ligjore. Gjithashtu, ekziston mekanizmi i Bordi i Transparencës për karburantet, i miratuar në 2022, që mund të aktivizohet për mbrojtjen e konsumatorit.
Përtej këtyre masave, qeveria po punon për krijimin e një entiteti shtetëror që do të mbajë rezervë tremujore të karburanteve dhe një operator shtetëror për shumicën e tregut, i cili do të shërbejë si mekanizëm stabilizues për çmimet. Ministrja nënvizoi se institucionet monitorojnë gjithashtu edhe çmimet e produkteve ushqimore, për të minimizuar ndikimin e krizave ndërkombëtare mbi ekonominë shqiptare dhe buxhetin e familjeve.
KOHA JONË SONDAZH

