Ministrja Ibrahimaj: Kodi i ri Penal synon transparencë dhe kufizon hapësirën për interpretim
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilluan sot tryezën e dytë konsultative me përfaqësues të biznesit, dhomave të tregtisë dhe aktorëve të tjerë ekonomikë, për të diskutuar draftin e Kodit të Ri Penal. Takimi u fokusua tek dispozitat që ndikojnë direkt ambientin e biznesit, konkurrencën e ndershme, marrëdhëniet e punës, si dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe industriale.
Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e konsultimeve të hapura me biznesin për të ndërtuar një kuadër ligjor të qartë, të zbatueshëm dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian, që ofron siguri juridike dhe mbështet zhvillimin ekonomik. “Kodi i ri Penal parashikon komponentë që lidhen me tatimet, doganat, konkurrencën, marrëdhëniet e punës, proceset e falimentit dhe parandalimin e pastrimit të parave. Qëllimi ynë është që Kodi të tregojë transparencë, të lërë më pak hapësirë për interpretim dhe të krijojë drejtësi për të gjithë”, tha ministrja Ibrahimaj.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, nënvizoi se parandalimi i abuzimit, lufta ndaj ekonomisë informale dhe garantimi i konkurrencës së ndershme janë prioritetet kryesore në dispozitat që lidhen me sipërmarrjen. Sipas Lamallarit, procesi i konsultimeve përfshin gjithsej 23 tryeza dhe synon të sigurojë që Kodi i Ri Penal të jetë i balancuar, funksional dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane.
“Tryezat e konsultimit nuk janë thjesht një formalitet institucional, por një hap konkret drejt një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku zëri i të gjitha palëve të interesuara e grupeve të interesit, përfshi përfaqësues të sipërmarrjes, profesionistëve dhe aktorëve ekonomikë është thelbësor për të garantuar një kuadër penal të drejtë, të balancuar dhe funksional. Parandalimi i abuzimit, lufta ndaj ekonomisë informale, parashikueshmëria dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg janë prioriteti ynë kryesor kur është fjala për dispozitat që lidhen direkt me sipërmarrjen”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

