Ministrja Koçiu: 34 qendra shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil, shërbim për herë të parë me motoambulanca
Duke filluar nga 1 qershori për të përballuar fluksin e shtuar të turistëve, do të hapim 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se këto qendra janë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. “Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja bëri të ditur se në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. Koçiu vuri në dukje se ka nisur puna edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.
“E pajisur me mjekë, infermierë dhe të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, Urgjenca do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Për herë të parë do të shërbejnë në këtë sezon motoambulancat, që janë në gjendje të shmangun trafikun dhe të shkurtojnë drastikisht kohën e marrjes së ndihmës së parë në raste urgjencash”, deklaroi ajo.
Koçiu shtoi se i gjithë sistemi ynë shëndetësor, me qendrat spitalore, spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe 400 qendra shëndetësore të rinovuara tërësisht i përgjigjet realitetit të një turizmi të zhvilluar në të gjithë territorin dhe gjatë të gjithë vitit. Ministrja u ndal edhe në procesin e dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, që ka nisur tashmë nga zona e Liqenit të Shkodrës dhe do të mbuloje 25% më shumë territor këtë vit.