Ministrja Koçiu apel nga Spitali i Laçit: Vaksinoni në kohë fëmijët kundër fruthit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, teksa zhvilloi një vizitë në spitalin e Laçit të rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019, bëri edhe një apel për prindërit që të vaksinojnë fëmijët ndaj fruthit.

Së fundmi, stafit të këtij spitali i janë bashkuar 11 mjekë specialistë, të cilët apeluan së bashku me ministren Koçiu për kryerjen e vaksinimeve të rregullta pasi janë të sigurta për të gjithë popullatën.

“E rëndësishme është që të japim edhe një mesazh për vaksinën e fruthit sepse këto ditë po dëgjojmë që janë shtuar rastet. Për aq kohë sa është një vaksinë e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit dhe është një vaksinë që mbron 100% për rrezikshmërinë që mund të sjellë sëmundja e fruthit. Është e domosdoshme për t’u kryer dhe apeli i shkon gjithë prindërve: Vaksinoni fëmijët për një jetë të sigurt, për një jetë të shëndetshme. Vaksina është falas, është në çdo qendër shëndetësore. Kështu që do ju lutesha shumë që ta merrni shumë seriozisht që të mos rrezikoni jetën e fëmijëve”, apeloi ministrja Koçiu.

SHKARKO APP