Ministrja Koçiu: Melsena Hasanaj, një prej mjekeve që shërben 24 orë për urgjencat pediatrike
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vlerësoi sot gjithë personelin e palodhur mjekësor, për punën e tyre shembullore çdo ditë, veçanërisht mjekët e familjes që shërbejnë në qendrat shëndetësore 24/7 në kryeqytet.
Koçiu solli në vëmendje rastin e Melsena Hasanaj, mjeke në Qendrën Shëndetësore nr. 8 e cila çdo ditë, bashkë me kolegët e saj, ndjek dhe trajton pacientët jo vetëm gjatë ditës por edhe në turnet e natës, shtatë ditë të javës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mundësuar që krahas 4 qendrave shëndetësore 24/7 në Tiranë për urgjencat pediatrike, edhe 31 qendra shëndetësore në të gjithë vendin të jenë në shërbim 24 orë, edhe gjatë fundjavës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të cilët mund t’i drejtohen mjekut të familjes pranë vendbanimit, pa patur nevojë të shkojnë në spital.
Ndërkohë në të gjitha qendrat shëndetësore vijon vaksina falas antigrip për të gjitha grupet e riskuara, personeli mjekësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit si dhe personat me sëmundje kronike si mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit.