Ministrja Koçiu në qendrën shëndetësore 24-orëshe Fushë-Arrëz: Shërbim në banesë në çdo zonë të vendit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi qendrën shëndetësore Fushë-Arrëz e cila ofron shërbim 24/7 për mbi 3 mijë banorë të zonës me kushte bashkëkohore, me një staf mjekësor të specializuar. Gjatë kësaj vizite në këtë qendër shëndetësore ministrja u njoh nga afër me ecurinë e procesit të vaksinimit, në të cilën janë kryer 260 vaksina kundër gripit, si dhe 10 vaksina HPV. Gjithashtu, kjo qendër shëndetësore ofron shërbim në banesë për 13 pacientë, të cilët e kanë të pamundur lëvizjen nga banesa e tyre.
Sipas drejtorit të qendrës, në këtë zonë nuk ka asnjë rast me fruth dhe nuk është asnjë fëmijë i pavaksinuar me vaksinën e fruthit. Nga kjo qendër shëndetësore marrin shërbim edhe 413 të sëmurë kronikë, ndërkohë që fishat falas të diabetit i përfitojnë 20 persona. Gjatë vitit 2023 kanë kryer mamografinë 100 gra. Në fjalën e saj ministrja Koçiu u shpreh se edhe pse është realizuar komplet plani i vaksinimit, duhet bërë një punë më e madhe për sa i përket vaksinës për HPV-në dhe për të ndërgjegjësuar akoma më shumë vajzat.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kushton një rëndësi të veçantë shtimit të stafeve të reja në çdo zonë të Shqipërisë. Edhe ekipit të mjekëve dhe infermierëve të Qendrës së Fushë-Arrëzit i janë shtuar mjekë të rinj, të cilët kanë preferuar të qëndrojnë dhe të japin kontributin e tyre pranë vendbanimit dhe familjeve të tyre në këtë zonë.
Qendra Shëndetësore Fushë-Arrëz ofron shërbime të urgjencës dhe repartit ditor 24/7, pediatri, konsultori gruas, konsultat me mjekun e familjes, shërbim në banesë, si dhe shërbim me psikolog i cili është në ngritje si shërbim.