Ministrja Koçiu: Punojmë për tjetër model ekselent binjakëzimi midis spitalit bashkiak Kuçovë me spitalin rajonal të Beratit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Beratit, Bledi Çuçi zhvilluan një vizitë në Spitalin Rajonal të Beratit. Ministrja u shpreh se ky spital ofron shërbim për 120 mijë banorët e qarkut dhe rreth 700 mijë turistëve që e zgjedhin Beratin si destinacionin e pushimeve të tyre.

Koçiu deklaroi se pas Qendrës së parë Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, po punojnë për të ngritur një tjetër model ekselent binjakëzimi midis Spitalit Bashkiak Kuçovë me Spitalin Rajonal të Beratit për të ofruar shërbime të specializuara pranë vendbanimit.

“Një plan tjetër është edhe krijimi i asaj qendrës së dytë spitalore rajonale Berat Kuçovë. Siç bëmë “Shefqet Ndroqin” me Kavajën, të bëjmë Beratin me Kuçovën për të optimizuar shërbimet, për të optimizuar kostot dhe për të shërbyer për të gjithë zonën me të gjitha kapacitetet. Ky është projekti i radhës i cili pa diskutim do duhet të shoqërohet me një investim në infrastrukturë, këtu dhe në pajisje”, deklaroi Koçiu.

Ministrja bëri me dije se në këtë spital për herë të parë ka nisur këtë vit realizimi i analizave histopatologjike dhe imunohistokimike në laboratorin e anatomisë patologjike. “Në fokus të punës sonë të përditshme janë qytetarët dhe realizimi i plotë i gamës së analizave për qytetarët në të gjitha strukturat spitalore në vend”, është shprehur ajo.

Gjatë vizitës në Spitalin Rajonal të Beratit, ministrja Koçiu zhvilloi një bashkëbisedim përveçse me stafin e spitalit, edhe me doktor Ervinin, mjekun e ri, i cili i është bashkuar ekipit mjekësor të spitalit Berat. Me hapjen e pavionit të ri të kimioterapisë në Spitalin Rajonal Berat nga ana e shërbimit të farmacisë janë marrë masa për furnizimin e këtij pavioni me medikamente.

SHKARKO APP