Ministrja Koçiu: Rreth 42 000 vizita mjekësore në qendrat shëndetësore verore, 15% më shumë se vitin e kaluar
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Qendrën Shëndetësore Verore në Plazhin e Vjetër në Vlorë. Koçiu u takua me doktoreshë Adën, për të cilën kjo është eksperienca e parë në një qendër shëndetësore verore. Mjekja u shpreh se eksperienca ka qenë mjaft e vyer dhe se numri i vizitave i ka tejkaluar 600.
Koçiu u shpreh se, nga data 1 qershor deri në 4 gusht në të gjitha qendrat shëndetësore verore në vend janë kryer rreth 42 mijë vizita mjekësore, 15 % më shumë se një vit më parë.
Koçiu takoi edhe disa turiste nga Utrehti i Holandës, të cilat po qëndrojnë në Vlorë dhe kishin sjellë një mikun e tyre në qendrën shëndetësore në Vlorë. Ato u shprehën të lumtura që gjetën shërbim falas shëndetësor në qendrat shëndetësore verore.
“Kjo është si një qendër falas për të marrë ilaçin dhe për të marrë këshilla nëse diçka nuk shkon. Kështu që sapo erdhëm këtu dhe ata thjesht u kujdesën për ne. Mendoj se tani është mirë”, tha turistja holandeze.