Ministrja Koçiu: Rritëm me 4-fish buxhetin për trajtimin e sëmundjeve tumorale, akseleratorët e rinj shkurtuan listën e pritjes

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësinë lidhur me situatën e ndodhur në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale. Koçiu që në fillim të fjalës së saj u shpreh se “është pretendim i pavërtetë dhe dashakeqës se aparaturat e pajisura me substancë radioaktive si kobalti janë lënë korridoreve të spitalit, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe mjekëve nga rrezatimet. Aparatura ka qenë gjithmonë brenda kapsulës së saj mbrojtëse, duke bërë të pamundur përhapjen e rrezatimit”.

Ajo theksoi se instancave përkatëse të Institutit të Fizikës Bërthamore janë të ngarkuar me matjen periodike dhe asnjëherë nuk kanë lexuar rrezatime jashtë normave të lejuara. Koçiu vuri në dukje se çdo vit është shtuar lista e barnave nëpër spitale dhe ajo e rrjetit të hapur duke mbuluar sëmundje të përhapura si diabeti, sëmundjet onkologjike, ato kardiovaskulare etj.

“Tashmë është e mbuluar dhe linja e parë e terapisë për të gjitha llojet e kancereve dhe shumica e linjave të dyta e treta, si psh. për kancerin e gjirit , ate të ovarit, kolorektal, etj. me preparate bashkëkohore. Kjo e mundësuar dhe me anë të politikave për barna inovatore, të aplikuara me sukses prej disa vitesh. Në vitin 2013 shpenzimet e rimbursimit për barnat tumorale zinin 8.1 % të buxhetit të rimbursimit ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje arriti në 20.7%”, vijoi ministrja.

Gjithashtu, tha Koçiu, “shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale në QSUT zinin 20.57% të buxhetit total në vitin 2014, ndërsa në vitin 2023 zinin 36.97%. Në vitet e fundit, Lista e Barnave me Rimbursim është pasuruar me 74 barna të reja, duke përfshirë 13 barna onkologjike. Për diagnozën e kancerit të gjirit, shpenzimet e rimbursimit kanë ardhur në rritje nga viti në vit, nga 4.4% shpenzimeve totale të rimbursimit ne 5.7 %”.

Sa i përket përmirësimit të kujdesit paliativ, Koçiu bëri me dije se janë përfshirë 92 barna me rimbursim. Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se kimioterapitë, që më përpara kryheshin në kushte primitive vetëm në Onkologjikun e Tiranës, tashmë kryhen në shumë nga spitalet rajonale, duke reduktuar drastikisht kostot për qytetarët.

SHKARKO APP