Ministrja Koçiu: Vr*sja tronditëse e Liridonës, na kujton se sa shumë punë duhet të bëjmë për shoqërinë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në aktivitetin ndërgjegjësues, “Investo për të parandaluar dhunën ndaj vajzave dhe grave”, organizuar nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, Vlorë. Koçiu u ndal te ngjarja tronditëse që ndodhi në Kosovë pak ditë më parë, ku mbeti e vrarë Liridona Murseli.
“Vrasja tronditëse më e fundit e ndodhur në Kosovë, ajo e Liridona Murselit na kujton për fat të keq se sa shumë punë duhet të bëjmë për shoqërinë tone, për të çrrënjosur këtë fenomen”, theksoi ministrja. Koçiu tha se qeveria shqiptare dhe MSHMS do vazhdojnë të mbështesin financiarisht programet e mbrojtjes sociale.
“Me buxhetin e vitit 2024, MSHMS qeveria shqiptare vazhdon të investojë në mbështetje të mbrojtjes sociale, dhe programeve të mbrojtjes sociale. Është një buxhet prej 300 milionë lekësh i cili është në dispozicion pikërisht për të mbështetur, gratë viktima të dhunës dhe abuzimit, shtresat në nevojë, gratë nëna me fëmijë të vegjël dhe padiskutim edhe personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e vetmuar dhe gjithë ato kategori që kanë nevojë për mbështetje nga shteti”, deklaroi Koçiu.
Gjithashtu, ministrja vuri në dukje se “me fondin social të vënë në dispozicion ne kemi rreth 34 shërbime të specializuara që ofrohen për gratë e trafikuara, gratë pjesë e dhunës dhe abuzimit”. Në përfundim të këtij aktiviteti, të pranishmit dhanë mesazhet e tyre ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në “Murin e Solidarizimit”.