Ministrja Kumbaro: Mungojnë “turistët e luftës”

Sezoni turistik është në prag dhe pritshmëritë ekzistojnë, për një numër të madh turistësh. Me reduktimin e masave anti-covid, shqetësimi kryesor mbetet lufta në Ukrainë, ku tregut shqiptar turistik do t’i mungojnë këtë vit turistët nga Rusia, Ukrainë dhe Bjellorusia.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se të ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë, ka një ndryshim të hartës me shtetet nga pritet të vijnë turistët këtë verë.

“Ne kishim një parashikim për pjesëmarrje masive. Sipas të dhënave që kam nga “tour operatorët”, bëhet fjalë për rreth 130 mijë turistë që ishin përgatitur të vinin vetëm nga Ukraina, por do të kishim turistë edhe nga Rusia dhe Bjellorusia. Këto janë 3 vende që besoj se do të krijojnë një minus në shifrat që ne mendonim se do t’i shtoheshin turizmit këtë vit. Megjithatë, kemi një riorientim të disa flukseve të tjera turistike. Në 3 muajt e parë të vitit, kemi një rritje të numrit të turistëve që vijnë nga Greqia, Italia dhe Franca. Kjo vjen edhe si shkak i promovimit të Shqipërisë gjatë viteve të fundit”.

SHKARKO APP