Ministrja Kumbaro: Sezon veror i suksesshëm, 20% më shumë vizitorë të huaj sesa në vitin 2023
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se sezoni veror turistik i këtij viti, është shumë i suksesshëm. Kumbaro u shpreh në ”Kjo Javë”, se referuar shifrave, kishim një rritje të numrit të turistëve dhe të ardhurave të përfituara prej saj.
”Deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm. Nëse gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar, kemi rreth 20 përqind më shumë vizitorë të huaj. Pra e theksojmë vizitorë të huaj sepse është e vështirë për momentin të llogarisim turizmin vendas, por që është një tjetër fluks, jo vetëm i banorëve që jetojnë dhe janë rezidentë në Shqipëri. Kriteri që kemi zgjedhur është që vizitorët që hyjnë në sistemin TIMS në të gjitha pikate kufirit me pasaportë të huaj, i llogarisim si turistë të huaj”, u shpreh ajo.
Po ashtu Kumbaro shtoi se numërimi i turistëve jo rezidentë që vijnë në vendin tonë, bëhet nëpërmjet sistemit TIMS. Ky sistem sipas saj mundëson përcaktimin e prejardhjes, moshës edhe nëse ky turist ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë në vendin tonë.
”Sistemi TIMS është mënyra më e pagabueshme e përllogaritjes, sepse çdo gjë është elektronike dhe përcaktohet kollaj. Po ky sistem na ndihmon të caktojmë prejardhjen, moshën edhe nëse ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë.
Krahë saj është gjithë sistemi i statistikave të INSTAT të cilat vetëm nëse i nxjerrim numrin e vizitorëve të huaj ditët e para të muajit pasardhës, INSTAT ka një tjetër metodologji, llogarit netë-qëndrimet, preferencat për turizëm në mal apo fushë, sepse funksionojnë me kampione sondazhesh”, sqaron ministrja.