Ministrja Manastirliu: Diaspora akademike, urë lidhëse për ndërkombëtarizimin e universiteteve
Ministrja e Arsimi dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se Samiti i Diasporës paraqet një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të thellë midis diasporës akademike dhe universiteteve shqiptare për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.
Në fjalën e saj në panelin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Diaspora akademike si urë lidhëse për ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor në universitetet shqiptare”, ministrja Manastirliu theksoi se, “objektivi ynë është ndërkombëtarizimi dhe ngritja në një nivel më të lartë të cilësisë së arsimit në vend, së bashku me kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor është guri themelit për arsimin e lartë. Fokusi i qeverisë dhe MAS është investimi akoma më i madh për kërkimin shkencor”.
“Në këto vite kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor lidhur me investimet në infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe në këtë aspekt, akademikët në diasporë, me punën që ata bëjnë, eksperiencën që ata kanë, mund të na ndihmojnë për të përshtatur ato modele që janë të suksesshme”, tha Manastirliu.
Manastirliu, gjatë fjalës së saj, vlerësoi rolin kyç të diasporës akademike në ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore të kombit shqiptar nëpër botë. “Është e rëndësishme të reflektojmë se sa potencial të pashfrytëzuar kemi dhe se cili është roli që diaspora mund të marrë më shumë, për çuarjen përpara të progresit të Shqipërisë”, tha Manastirliu.
Duke folur për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të tyre të studimit, duke synuar lidhjen e tyre me tregun e punës, Manastirliu u shpreh se “tani ka ardhur koha për ta shtyrë përpara atë objektiv që ne kemi, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë”.
“Kemi shembuj të jashtëzakonshëm bashkëpunimi, kemi një bord akreditimi të përbërë nga akademikë shqiptarë dhe të huaj që janë duke punuar fort, për sa i përket akreditimit institucional të universiteteve dhe gjithashtu akreditimit të programeve. Është një hap shumë i rëndësishëm për ata të rinj që duan të studiojnë këtu”, tha Manastirliu.
Manastirliu foli edhe për projektin e ri për profilizimin dhe rritje e kapaciteteve të Universitetit të Korçës, ku do të përputhet dhe orientohet oferta e universiteteve
të rajonit me programet universitare, me nevojat e tregut dhe zhvillimet rajonale. Samiti i Tretë të Diasporës po mbahet sot në Pallatin e Kongreseve, si vazhdim i një tradite të rëndësishme disavjeçare, ku mësues e akademik të diasporës shqiptare janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar, shkëmbyer ide, dhënë sugjerime dhe kontribuar në zhvillimin e vendit tonë.
Gjatë Samitit III të Diasporës që po zhvillohet sot në Tiranë, përfaqësues dhe pjesëmarrës nga vende si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Gjermania, Spanja, Belgjika, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbledhur për të diskutuar dhe kontribuar në fusha të ndryshme, ku fokus i veçantë është avancimi i sistemit arsimor në Shqipëri.