Ministrja Manastirliu: Shkolla “Ibrahim Basha” në Kamzë me mjedise bashkëkohore
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mori pjesë në përurimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Ibrahim Basha” në Bulçesh të Kamzës. Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të BE-së në Tiranë, Andre Rizzo, përfaqësuesja e UNDP-së, Monica Merino dhe kryetari Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli si dhe mësues dhe nxënës.
Shkolla “Ibrahim Basha” është një tjetër institucion që i shtohet modelit të Kamzës, një nga bashkitë me më shumë shkolla dhe kopshte të reja falë investimeve të qeverisë shqiptare, bashkisë së Kamzës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Kemi një shkollë me standarde bashkëkohore që i shërben një komuniteti rreth 10 mijë banorë, me kapacitet rreth 650 nxënës në shkollë por nga ana tjetër edhe një kopsht të integruar që tashmë në shërbimet e kësaj strukture i shërbejnë dhe 750 fëmijëve dhe nxënësve së bashku. Jemi duke punuar në infrastrukturën shkollore ku me fonde qeveria shqiptare në vitin 2024 mbështeti rehabilitimin e 40 objekteve arsimore, shkolla, terrene sportive dhe palestra. Presim që këtë vit të përfundojmë 100 objekte shkollore me mbështetjen e BE-së, bashkive dhe donatorëve të tjerë. Për ne është shumë e rëndësishme të ecim përpara me përmirësimin e objekteve shkollore sepse i shërben edhe cilësisë së mësimdhënies”, tha ministrja Manastirliu në përurimin e shkollës së re.
Ministrja u ndal dhe te një tjetër investim i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit që po ashtu i shërben cilësisë së mësimdhënies që është Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional, i cili synon rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe njohjen me metodat bashkëkohore.
“Jemi duke punuar për Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve ku po trajnojmë mbi 4000 mësues të shkencave të natyrës, matematikës, arsimit fillor dhe gjithashtu të teknologjisë dhe informacionit. Fokusi ynë është te rritja e standardit dhe cilësisë së mësimdhënies, mbështetja e burimeve njerëzore, që është një prej komponentëve kryesorë të punës tonë nëpërmjet rritjes së pagave për mësuesit duke filluar nga muaji korrik i këtij viti, përmirësimi i infrastrukturë dhe gjithashtu dhe me përmirësimi e kurrikulës”, tha Manastirliu.
Për herë të parë, është lidhur një partneritet me universitetet në të gjithë vendin dhe 135 trajnues nga stafet akademike universitare po zhvillojnë këto trajnime. Brenda dy viteve, ky numër do të arrijë në 16 mijë. Një vëmendje e posaçme i është kushtuar testimit ndërkombëtar PISA, për të cilin mësuesit dhe nxënësit janë trajnuar dhe testuar. Kjo mbështetje synon të garantojë suksesin dhe arritjet e nxënësve shqiptarë në të gjitha nivelet e arsimit.