Minorenët shqiptarë në Britani, të zhdukur dhe pre e trafikantëve

Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimet sociale, kanë një detyrim ligjor për të mbrojtur fëmijët pavarësisht nga kombësia apo statusi i emigracionit

Nga: Redjon Shtylla

Vala e refugjatëve shqiptarë drejt Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe gjatë vitit të kaluar shënoi një rritje të frikshme të numrit të të larguarve. Me mijëra shtetas kërkuan azil për të shpëtuar nga vendi i tyre.  Pa ditur se ku do të ishte destinacioni i tyre. Por kontingjenti më i rrezikuar ishte dhe mbeten fëmijët. Prindërit e tyre kërkojnë strehim në Angli, por më të rrezikuarit ngelen ata të pashoqëruarit,  të cilët nuk kanë asnjë njohje apo njeri që t’i presë dhe t’i sistemojë. Kështu fëmijët ngelen frikshëm në duar të panjohura dhe në mëshirë të fatit. Në çdo kohë ata ngelen të rrezikuar për të rënë preh e trafikantëve, të cilët mund t’i përdorin për shërbimet e tyre apo në tregun e zi, për transplantet e organeve të trupit.  Këta fëmijë zhduken papritur. Një hetim i rrjetit të medieve “BuzzFeed News”, ka hedhur dritë mbi këtë plagë, ku ka zbuluar të pathënat e të pazbuluarat të frikshme. Portali “BuzzFeed News” me seli në Nju Jork, ka zbuluar se shumë prej të rinjve shqiptarë që mbërrijnë në Britani të Madhe si refugjatë, zhduken.  Investigimi i kryer në Britaninë e Madhe, ka nxjerrë në pah vuajtjet dhe frikën e fëmijëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Historia e Bekimit

Swiss Digital Mobile Reklama

Një ndër ta, i quajtur Bekim, është larguar nga Shqipëria që kur ishte adoleshent. Sipas tij, ai u detyrua të largohej, pasi mafia lokale u përpoq për të vrarë babain e tij. Ai udhëtoi gjatë derisa arriti në tokën spanjolle, aty Bekimi, (jo emri i tij i vërtetë), u takua me njerëz kontrabandistë që i premtuan një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Por kjo do të vinte me një kosto. “Ju duhet t’i paguani atyre një shumë rreth 6000 dollarë”,- i ka thënë Bekimi gazetares.-“Nëse ju nuk keni të holla, ju mund t’i paguani më vonë duke punuar për ta, kur ju të jeni në Mbretërinë e Bashkuar. Trafikantët më thanë se unë mund të kisha një jetë më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Ata më thanë se unë mund të punoja për ta duke i ndihmuar për të shitur gjëra. Unë iu besova atyre”. Kur Bekimi mbërriti në Britaninë e Madhe, ai u diktua nga shërbimet sociale.

Punonjësit socialë kuptuan shumë shpejt se “Bekimi” ishte në rrezik të shfrytëzohej për trafik, atëherë ata morën masat. I kontaktuar nga shërbimet sociale angleze, duke parë një fill shprese, sipas tij, kuptoi rrezikun dhe u shmang pa pasoja. Por ai ishte një prej atyre me fat.

Fëmijët shqiptarë, më të rrezikuarit

Një hetim i “BuzzFeed News” ka zbuluar se të rinjtë që janë zhdukur pas mbërritjes në Britaninë e Madhe, më shumë janë nga Shqipëria. Mediat kryesore në Britaninë e madhe kanë rrëfyer pas investigimit se numri i fëmijëve shqiptarë është dyfishuar në mes të vitit 2014 dhe 2015. Statistikat janë të frikshme, pasi nëntëdhjetë e tre fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria, janë zhdukur nga qendra e kujdesit social në vitin 2015 më shumë sesa gjatë 2014-ës, ku rezultojnë vetëm 46 të zhdukur. Sipas investigimit të gazetarëve anglez, fëmijët të cilët shfrytëzohen nga trafikantët janë  të grupmoshës 15- vjeçare. Anne Longfield, komisioneri i Fëmijëve në Angli e shqetësuar nga raporti me statistikat e frikshme të fëmijëve është shprehur: “Kjo është patjetër diçka e rëndë. Ne po dëgjojmë se fëmijët shqiptarë janë veçanërisht më të ndjeshëm rreth shfrytëzimit për punë dhe ekipi ynë është duke kërkuar në këtë çështje”.

 Pre e shfrytëzimit seksual

Në raste të tjera burra të moshuar kanë përdorur të rinj në nevojë për shfrytëzim seksual dhe veprimtari kriminale të tilla si shitje droge. Sipas Agjencisë Kombëtare të  Krimit, numri i fëmijëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar që janë trafikuar për punë dhe shfrytëzim seksual është katërfishuar në dy vitet e fundit. Ekspertët e kësaj agjencie kanë shprehur shqetësimin se “nuk është bërë mjaft punë për të mbrojtur fëmijët shqiptarë nga bandat e mundshme të trafikimit, që janë në kërkim për t’i shfrytëzuar ata”.

femijet refugjate 1

 

Chloe Setter, e Bamirësisë të të Drejtave të Fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar, tha se, “rritja e numrit të  fëmijëve shqiptarë të trafikuar dhe të shfrytëzuar është “tronditëse”. Ajo ka thënë se: “Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë janë pjesë e shfrytëzimit seksual dhe detyrohen për të kryer krime nga bandat e krimit të organizuar shqiptar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”. Vitin e kaluar më shumë se 450 fëmijë shqiptarë arritën të vetëm në Britaninë e Madhe. Më shumë se një e treta e atyre kanë qenë fëmijë të pashoqëruar. Kërkesa që ka më shumë prioritet për të kërkuar azil, është ajo e gjakmarrjes. Pasi dihet që në Shqipëri kjo plagë është e trashëguar që nga e kaluara.

Tani OJQ-të janë gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh me këta fëmijë, kur ata largohen nga kujdesi. 46% e adoleshentëve janë trafikuar për punë ose janë pjesë e shfrytëzimit seksual.  Kevin Hyland, komisioneri i anti-skllavëri në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë për “BuzzFeed News”se Shqipëria është një “shtet prioritet” për të. “Një problem i madh është ajo që ndodh me fëmijët që vijnë vetëm dhe ne jemi me të vërtetë të shqetësuar për këtë”,- tha Hyland. Kurse Home Office, deklaroi se, do të kërkojë një marrëveshje për fëmijët e pashoqëruar, në qoftë se ka marrëveshje të sigurta, të përshtatshme dhe të qëndrueshme për t’i kthyer ata. Madje, Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimet sociale, kanë një detyrim ligjor për të mbrojtur fëmijët, si pjesë e përgjegjësive të tyre lokale – pavarësisht nga kombësia apo statusi i imigracionit. Mirëqenia e fëmijës është gjithmonë konsiderata mbizotëruese”.

Shifrat

 209

Është numri i fëmijëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas autoriteteve janë në rrezik nga trafikantët

46%

Është numri i adoleshentëve të trafikuar për punë ose janë pjesë e shfrytëzimit seksual

26%

E fëmijëve thanë në anketë se i kishin ikur gjakmarrjes

23%

Janë ata që kishin ikur nga persekutimi nga të dyja bazat fetare apo për shkak të seksualitetit të tyre

5

Janë të rinjtë, të cilët kanë pohuar se kishin ikur nga  martesat e detyruara

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?