Miodrag Vlahoviç: Qeveria në Mal të Zi mendon tërheqjen e njohjes së Kosovës
Ish-ministri i jashtëm i Malit të Zi, dhe ish-ambasadori i këtij vendi në SHBA, Miodrag Vlahoviç tha në një intervistë për Ditarin e Kosovës, se qëndrimi i zbutur i BE ndaj Beogradit është i papranueshëm. Duke e vënë theksin te rreziku i ndikimit rus në rajon, ai paralajmëroi se qeveria e re e Malit të Zi, pavarësisht se hiqet si pro-europiane është në fakt pro Moskës, dhe është në favor të tërheqjes së njohjes për Kosovën.
Sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, kemi shumë marrëveshje, por edhe shumë telashe. Çfarë duhet të ndryshojë në këtë proces?
Kur isha ministër i Jashtëm nga viti 2004-2006, kur na pyetën për Kosovën dhe marrëdhëniet e serbëve të Kosovës, përgjigja ime ishte se edhe pse e njohim shumë mirë situatën, nuk japim receta apo si të themi, sugjerime, lidhur me zgjidhjen e problemeve si dikush që pretendon se di gjithçka.
Përgjegjësia u takon të dyja palëve por gjithashtu, dua të theksoj pikërisht në këtë moment, se përgjegjësia është edhe e ndërkombëtarëve; veçanërisht e Bashkimit Evropian, por edhe Shteteve të Bashkuara. Ata duhet ta shqyrtojnë situatën me kujdes, duhet të mos tregohen të njëanshëm dhe të vijojnë me përkëdheljen apo qëndrimin e zbutur ndaj disa qeverive dhe vendeve të rajonit.
E kam fjalë konkretisht për Serbinë. Duhet të tregohet një qëndrimi i balancuar. Nëse qasja do të jetë e tillë mund të kemi edhe zhvillime pozitive në kontekstin e dialogut. Aktualisht shohim se ka bllokada të caktuara, të vullnetshme, të nevojshme, të pashmangshme dhe nga ato që mund ishin shmangur shumë kohë më parë. Dhe kjo situatë po na dëmton në fakt të gjithëve ne, sepse gjithçka që ka të bëjë më rajonin e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i mirë edhe për Malin e Zi.
Edhe pse nuk jemi të përfshirë drejtpërdrejt dhe nuk duhet të përfshihemi, ndikimi, negativ ose pozitiv, është I ndjeshëm. E njëjta gjë vlen edhe për situatën në Bosnje Hercegovinë. Këtu ne Kosovë, por edhe në Malin e zi ka interes që disa mangësi apo probleme në Bosnje dhe Hercegovinë të zgjidhen në një mënyrë që fatkeqësisht nuk po e shohim për vite të tëra. Në rregull, dialogu duhet vazhduar, por me një qasje të re. Kjo do të ishte përgjigja ime më e shkurtër. Një qasje e cila në fakt do të merrte parasysh interesat legjitime të të gjitha palëve të përfshira, dhe jo vetëm të njërës palë.