Miqësia 68-vjeçare me Dritëro Agollin (Foto të rralla)

“Një herë Dritëroi më dërgoi një fotografi, ku kishte dalë në mes të dy vajzave, një ruse e një gjermanë, me diçiturën; “Eh, mor Ush (vesh, rusisht) më shikon mua me dy dama, kurse ti nuk ke asgjë!”. Në Institut, në fakultetin e gjuhë-letërsisë, ku unë bëja pjesë, ishim dymbëdhjetë vajza e dy djem. Kur ato panë foton e mikut tim në mes të dy vajzave, u mblodhën të dymbëdhjeta, më futën në mes e bëmë një foto, që ia dërgova mikut tim me diçiturën: “Ti me dy e unë më dymbëdhjetë”. …

Nga Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka)

Në një shënim në bllokun tim në tetor vitin 1948 Dritëro Agolli më thoshte: “Dhe floriri mund të ndryshket,/ Edhe ylli digjet, shkon, /Miqësia ndërmjet nesh,/ S’ndryshket kurrë, s’perëndon”. Që ahere kur u njohëm e u bëmë miq të pandarë me Dritëro Agollin e deri tani kur ai feston 85-vjetorin e lindjes së tij, kanë kaluar 68 vjet e dy muaj. “Koha flokët na ka zbardhur”, por shoqëria dhe miqësia ndërmjet nesh as është “ndryshkur” e as është “shuar”, por vadon edhe sot e kësaj dite..

      gaqo-veshi-agolli Ishte mesi i gushtit të vitit 1948, kur u njohëm për herë të parë me Dritëronë në ambientet e agjencisë të udhëtarëve në Korçë. Na kishte dalë bursa për të vazhduar shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Dritëroi dhe unë vinim nga dy krahina të ndryshme të rrethit të Korçës, ai nga  Menkullasi i Devollit, ndërsa unë nga Lavdari i Oparit. Dritëroi kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare në Bilisht dhe unë në Korçë dhe s’na durohej të uleshim sa më parë në bankat e shkollës së mesme. Në atë vit rrugën Korçë-Gjirokastër e bënte një herë në javë një kamion i zbuluar dhe ishte e zorshme të merrje biletë, prandaj ne të dy çdo mëngjes zinim “kamaren” e agjencisë, por në vend të merrnim biletë merrnim njoftimi: “Biletat u mbaruan!?”. Si u endëm ditë të tëra, duke u shkëputur për t’i bërë telegram shkollës: “Shkak komunikacioni vonohemi. Dritëro Agolli, Gaqo Veshi”, një ditë,si çdo mëngjes Dritëroi erdhi në agjenci me një gazetë “Rinia” në dorë. Në faqen e dytë të saj ishte botuar një vjershë me emrin e tij. Me sa më kujtohet, ajo fillonte me vargjet: “Ky gjoksi i sulmuesit sa bukur qëndisur,/ Me tri- katër “S” bukur stolisur./ Këto “S-të” e tij me ngjyrë të verdhe,/ Na tregojnë punën djersën që ka derdhe”. Vjersha bënte fjalë për të riun “sulmues”  në hekurudhën e rinisë Durrës-Tiranë, ku dhe vetë Dritëroi kishte qenë vullnetar. Ai më lexoi edhe një vjershë tjetër të tij, botuar në gazetën “Letrari i Ri” më 16 gusht 1948. Mbaj mend disa nga vargjet e saj: “Prej Tirane gjer në det,/ Mina kazma po buçet./ Shket vagoni plot me dhe’ Se ndërtohet jet’ e re./ Jetë e re e lumturisë,/ Në aksionin e rinisë”.

Një mëngjes, në ballkonin e katit të dytë të agjencisë, një djalë i gjatë po recitonte një vjershë të gjatë, që fillonte: “Ziejnë rrugët, tundet qyteti,/ Varaving vete mileti./ Ç’është kjo badërdi/ Këtu poshtë në axhenci?!” Më vonë mësova se atë e kishte shkruar Dritëroi dhe për ne qe këmbëmbarë, na pasi pajisi me bleta dhe në mëngjes u nisëm  sipër karrocerisë së saj dhe pas mesit të natës arritëm në Gjirokastër për t’u ulur në bankat e shkollës. Të dy me Dritëronë na vendosën në një nga dhomat të një shtëpie private afër shkollës, që shërbente si konvikt. Bashkë me ne aty sollën dhe katër nxënës të tjerë. Nuk kaloi shumë dhe nga vjershat, qyfyret e shakatë e lezetshme të Dritëroit u bë dhoma më e preferuar. Kryefjala dhe kallëzuesi i saj ishte Dritëroi, që si në shkollë e në konvikt e thërrisnim “Poet”. Në këtë dhomë  thureshin “tragjeditë” nga Dritëroi, ku paraqiteshin “betejat” sipas “Iliadës” të Homerit. Njëri ishte Akili fitimtar dhe tjetri Hektori i mundur. Apo “Bankizmi sëmundja foshnjore e krevatizimit”, që i kushtohej një shoku tonë, që ishte kambur e anonte nga e majta dhe, për ta drejtuar trupin, hiqte e vendoste dërrasat e krevatit. Një tjetër ishte në merak të madh, pasi i bëhej sikur i rritet e i zmadhohej koka dhe Dritëroi gati e kishte këshillën duke i thënë, që kur të flinte, ta shtrëngonte kokën me rrip. Madje thuri dhe komedinë “Koka dhe rripi”

agolli-veshiMe Dritëronë për katër vjet me radhë kemi qenë në të njëjtën klasë, në një dhomë gjumi e në një tavolinë buke e studimi të “detyruar” dhe ishim aq të lidhur me njëri tjetrin sa në konvikt e në shkollë na quanin “byrazerë”. Të dy, si shokë të pandarë shquheshim për humor e qyfyre. Madje ndonjë prej tyre Dritëroi e ka përshkruar në romanin “Arka e djallit” që ma dhuroi me dedikimin: “Mikut tim  të vjetër dhe më të madhit të miqve”. Në të thotë: “Hyska (Gaqo Veshi) dhe Bamka (Dritëro Agolli) bënin marrëzira me rrezik të hapur shoqëror e politik. Kulmi i kësaj marrëzie arriti në një demonstratë”, që u quajt “greva e preshit”. Në krye të “grevës” ishte Hyska dhe Bamka. Kur në konvikt kishim vetëm presh, një drekë, kur Hyskë Borobojka, ishte kujdestar i tryezës prej 16 vetësh, shkoi dhe solli nga kamarja e kuzhinës kusinë e madhe me gjellë. Bamka e nuhati se ajo brenda duhet të kishte përsëri presh.

-Presh! – tha Bamka.

-S’duam presh!! – bërtiti gjithë tryeza.

Ahere Hyskë Borobojka rrëmbeu kusinë dhe e ktheu në kamaren e kuzhinës, duke thirrur:

-S’duam presh!

-S’duam presh! S’duam presh! – bërtiste e gjithë salla dhe të gjitha kusitë u kthyen në kuzhinë.

Ndërkohë vjen drejtori i konviktit me çizme ngjyrë kafe dhe me një rrip në mes si komisar. Qëndroi në prag te derës dhe thërret:

-Ç’është kjo kryengritje!

-Jo im zot, s’është kryengritje, por “revolucion”! – përgjigjet Hyskë Borobojka me fjalët e kontit Mirabo të Revolucionit të Francës, që sapo e kishte mësuar nga teksti i historisë…

Drejtori i konviktit u tërbua, e humbi kontrollin ndaj vetes, çakërriti sytë dhe ulëriu:

-Këta presh që ju nuk i doni, janë vaditur me gjakun e dëshmorëve!

Përnjëherë u hodh Hyskë Borobojka:

-Gjaku i dëshmorëve nuk ka rrjedhur për të vaditur presh!

Kjo bëri që gjithë vëmendja u kthye te thënia e drejtorit. U harrua “Greva e preshit”. Kështu për një gabim të drejtorit shpëtuan Bamka dhe Hyska.

Kjo është një nga marrëzitë e tyre të panumërta”,-  shkruan Dritëroi në romanin e tij “Arka e djallit”

 Një herë ishim ngjitur sipër në Keculle, mbi lagjen Palorto. Dritëroit, tek rrinte shtrirë mbi bar, i kishte hyre një brumbull në xhep. Sa futi dorën, u lebetit, duke kujtuar mos ishte ndonjë akrep. Si mblodhi veten nga tronditja shkroi një vjershë: “Në rrëzë të Malit të Gjerë,/ Shtrihet qyteti i shkëmbinjve./ Ku unë tre vjet të tërë/ Një jetë kaçaku kam bërë./ Këpucët në gurë m’u grisë/ Dhe rrobet në shpella i lashë,/ Së fundi dhe brekët bitisën,/ Pa hallet pastaj seç më nisën. /Mëngjesi kur zbardhet mbi shkrepat,/ Unë ngjitem prapë në strofkë./ Këtu më mblidhen akrepat,/ Insektet më futen në xhepat./ Dhe unë “Kolibër” hidhem mbi to/ E vetja më thotë strofkën shpëto”. Kjo vira vjershe u hap në konvikt e në shkollë. Madje i ngjitëm edhe një melodi dhe e këndonim sa herë ngjiteshim e zbrisnim “Qafës së Pazarit”. Por s’pati jetë të gjatë, pasi na thirrën në Komitetin e Partisë, Dritëronë si autor i saj dhe unë përhapsi në konvikt e në shkollë. Na kritikuan ashpër, duke na thënë se Gjirokastra nuk është qyteti i shkëmbinjve dhe i insekteve, por vendlindja e udhëheqësit tonë të lavdishëm.

Në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër, në vitin e dytë, kur ne ishin  nxënësit e tij, u krijua rrethi letrar. Ai ishte një fidanishte nga me të shquarve të letrarëve të rinj në të gjithë vendin. Në të ardhmen disa nga anëtarët e tij do të bëheshin shkrimtarë të dëgjuar, si të mëdhenjtë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, por edhe të tjerë si Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi e ndonjë tjerë. Që në krijimin e tij, kryetar u zgjodh Dritëroi, që shquhej mbi të gjithë për krijimtarinë e tij. Madje kur vazhdonim klasën e dytë të shkollës, ai mori pjesë në konkursin kombëtar të shpallur nga Komiteti Qendror i Rinisë dhe u vlerësua me çmim për vjershën “Gjaku i kulluar”.

Përveç talentit të spikatur në poezi, ishte talent i rrallë edhe në grupet teatrale të konviktit e të shkollës, sidomos në interpretimeve e roleve komike. Të dy si morëm pjesë aktive në disa shfaqje në konvikt e në shkollë e në Shtëpinë e Kulturës, vendosëm të vinim në skenë komedinë e Çajupit “Pas vdekjes” Dritëroi interpretoi rolin komik të Zenelit, unë të Doktor Adhamudhit, Idajet Zotoja të Vurkos dhe në rolin e Lulushes caktuam shokun tonë të klasës, Harito Fanikon, më që kishte tipare femërore. Dritëroi ishte mjeshtër për të krijuar situata komike. Një herë në Lazarat vazhdoi gati një orë me qyfyre, duke dredhur mustaqet e gjata e duke goditur gurin e strallit me masat… Shpesh në shkollë ngriheshin grupe teatrale me skeçe të thjeshta, që shpërndaheshin ditën e diel në fshatrat e rrethit të Gjirokastrës, në Lunxhëri, Kardhiq e Dropull. Gjithnjë këto skeçe i shkruante Dritëroi. Më shumë sukses kishte ai grupi, ku kripa e humorit ishte vetë ai, edhe si autor edhe si aktor.

Në përfundim të shkollës i dhuruam njëri -tjetrit nga një fotografi. Në foton e tij ai më shkruante: “Ta kesh kujtim nga unë, o shoku Gaqo. Patjetër kur të shikosh këtë portret të vogël, një tablo e tërë do të të dalë para syve. Shoku yt, Dritëro Agolli”. Pas mbarimit të shkollës Dritëroi shkoi për studime në Lelingrad (Shën Peterburg i sotëm) të sh-Bashkimit Sovjetik, ndërsa unë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Edhe pse larg njëri tjetrit, nuk e harruam miqësinë ndërmjet nesh. Dritëroi do më dërgonte letra të gjata nga larg me plot humor. Në njërën prej tyre më tregonte se si në cirk majmunët e arrijnë të ngisnin motoçikletat, kurse “ti, – më shkruante ai, – nuk nget dot as biçikletën, dhe rrëzohesh, kur dikush të thotë, po vërtitet rrota me gjithë tela”. Në një letër tjetër plot qyfyre kishte futur edhe tre brisqe “Neva” me humor: ‘T’i kam dërguar këta tre brisqe se ti e ke zor të rruhesh. Por kujdes kur t’i përdorësh se janë shumë të ndjeshëm dhe pritesh e bëhesh me gjak e do më shajë xha Jani (babai im). Një herë më dërgoi një fotografi, ku kishte dalë në mes të dy vajzave, një ruse e një gjermanë, me diçiturën; “Eh, mor Ush (vesh, rusisht) më shikon mua me dy dama, kurse ti nuk ke asgjë!”. Në Institut, në fakultetin e gjuhë-letërsisë, ku unë bëja pjesë, ishim dymbëdhjetë vajza e dy djem. Kur ato panë foton e mikut tim në mes të dy vajzave, u mblodhën të dymbëdhjeta, më futën në mes e bëmë një foto, që ia dërgova mikut tim me diçiturën: “Ti me dy e unë më dymbëdhjetë”.

Pas kthimit të tij nga studimet, do të takoheshim përsëri, për të filluar letërkëmbimin tonë letrar: “Bamkë Çomaga (Dritëro Agolli) e Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi)  i shkruajnë njëri- tjetrit faqe të tëra letrash me humor e satirë për ndodhi të ndryshme, që ashtu si thotë ai “Ta shpien nofullën Shtrembër”. Dhe këto letra do vazhdonin vite me radhë (ashtu si vazhdon miqësia jonë edhe sot e kësaj dite) e do të gjenin hapësira botimi në gazetat e revistat e kohës. Në gazetën “Drita” më 1968 Bamka i shkruan Hyskës se ç’kishte hequr një krijimi i tij në Shtëpinë Botuese nga ndonjë redaktor kallëpsës, që ia kishte kthyer me shënimin: “Vepra juaj duhet ndrequr”, Hyska i përgjigjet po në këtë vit me letrën e tij në revistën “Hosteni” se si është katandisi skeçi i tij në estrada nga disa regjisorë, aq sa kur u shfaq nuk e njohu fare, se ishte pjella e mendjes së tij. Në vitin 1971 i dërgon një letër Hyskës në faqet e revistës “Hosteni” ku i tregon mikut të tij se ç’ka hequr në agjencinë e riparim shërbimeve kur të sorollatin sa të mos i shëmbëllesh vetes. Ndërsa Hyska po në të njëjtën revistë i rrëfen se ç’ka hequr e është lodhur në dyqanet e rrobave të gatshme për të siguruar një kostum për Vitin e Ri. Bamkë Çomaga në vitin 1971 i shkruan letër, duke shprehur dëshirën e tij për të shkruar vjersha lirike-satirike për t’i botuar në revistën “Hosteni” në të hyrë të Vitit të Ri.. Ndërsa Hyska i përgjigjet në faqet e gazetës “Drita” duke i dhënë mikut të tij disa këshilla të urta për mbarëvajtjen e kopshteve të vjershërisë. Letërkëmbimi ndërmjet tyre është i shumtë e vazhdon në vite. Hyska i shkruan për peripecitë,  kusuret e sikletet që ka hequr nga disa nëpunës burokratë për një firmë. Kurse Bamka në një letër i rrëfen Hyskës se ç’ka hequr me Lulushen e tij një natë dimri në hotelin “Arbëria”. Hyska i tregon për vazhdimin e një gjyqin tërkuzë, për pronësinë e një zagari, sa dosjet e fryra të seancave gjyqësore ishin aq të shumta, sa po t’i mblidhje shpenzimet e kohën e humbur, koka e “objektit: Zagar”, nuk duhej derdhur as në allçi e beton, por në argjend e flori. Letërkëmbimet ndërmjet nesh janë të shumta e të shumëllojshme E brenda tyre do të mbeteshin ata nxënës gazmorë e hokatarë të gjimnazit “Asim Zeneli”, si do të thoshte miku im në vjershën “Pjeprri”, që ma dërgonte për Vitin e Ri 1973 në faqet e revistës “Hosteni” kur ishim bërë 40-vjeçarë : “Ne të dy sa kemi ardhur,/ Ku lëruan  gjyshërit tanë./ Koha flokët na ka zbardhur/ Dhe mbi qafa na vu dhjamë./ Koha shefa na ka bërë./ Shefa të ashpër e të mirë,/ Por servilë na ka lënë,/ Ndaj një pjepri të arrirë./ Dhe i flakim republikat,/ Çajmë kallëzat e thekrit,/ Dhe nga xhepat nxjerri thikat,/ I përulemi xha pjeprit!”

agolli-gaqo-veshi2Kur miku im festoi 70-vjetorin e lindjes në 13 tetor 2001, disa nga këto letërkëmbime i botuam në librin e përbashkët “Bamkë Çomaga  (Dritëro Agolli) Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi) më titullin “Tre qeshin, një inatoset”. Shumë kohë ka rrjedhur. Këtë vit miku im i shtrenjtë feston 85-vjetrin e lindjes, me suksese e me të korra të mbara në “selishtën” e tij të krijimtarisë letrare në dobi të kombit. Prandaj që nga unë “miku i tij i vjetër” e me radhë, nga Jugu në Veri, në Kosovë e Diasporë, i urojmë Apollonit të poezisë e letërsisë shëndet e jetë të gjatë.

                                                   

SHKARKO APP