Mirditë, infermieria grushte me drejtorin, të dy përfundojnë në spital

Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Fan të Mirditës dhe infermierja e urgjencës kanë ofruar për pacientët paraditen e sotme një skenë “sherri”. Ata janë rrahur me grushte me njëri-tjetrin dhe me sende të tjera të forta, duke përfunduar në Spitalin e Rrëshenit.

Policia e Mirditës bëri të ditur se ka qenë infermierja e kësaj qendre shëndetësore, Mira Prenga, e cila ka qëlluar me grusht eprorin e saj Gjon Ndreka.

Ka qenë ora 9:00 e mëngjesit të së enjtes, 6 gusht, kur midis tyre fillimisht ka pasur debat dhe më pas përplasje fizike, ndërsa e gjitha skena ka ndodhur në sy të pacientëve.

Këta të fundit kanë ndërhyrë menjëherë për të shmangur konfliktin, duke njoftuar menjëherë policinë në lidhje me ngjarjen. Ata janë dërguar menjëherë në Spitalin e Rrëshenit për të marrë mjekim, pasi nga përplasja kanë marrë disa fraktura, por pa rrezik për jetën.

Në lidhje me ngjarjen policia ka nisur hetimet, ndërsa pritet që të merren në pyetje dy personat e përfshirë në konflikt për të sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes. Nga hetimet e para është bërë e ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi infermierja pretendonte t’i zinte vendin drejtorit.

Në lidhje më këtë çështje midis tyre kishte lindur një konflikt i vazhdueshëm prej disa kohësh, që mëngjesin e së sotëm përfundoi me përplasje fizike midis tyre, duke përfunduar me fraktura në spital.

SHKARKO APP